Informacionet e reja të inteligjencës amerikane tregojnë se Irani po harton plane për të shënjestruar zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Donald Trump, duke shpërthyer një të ashtuquajtur “bombë të pistë” ose një armë kimike në Washington DC, kanë bërë të ditur për CNN shtatë zyrtarë amerikanë.
Burime në dijeni të informacioneve më të fundit të inteligjencës i kanë përshkruar planet iraniane, të paktën për momentin, si një përpjekje për të krijuar alternativa veprimi dhe jo si shenjë se një sulm është i afërt. Megjithatë, planet e zbuluara nga SHBA-ja janë mjaft konkrete dhe përfshijnë lokacione dhe objektiva të caktuara, kanë thënë dy prej burimeve, duke nxitur një sërë përgatitjesh emergjente nga autoritetet amerikane.
Në një deklaratë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, ka thënë se SHBA-ja po “monitoron çdo kërcënim të mundshëm, por në këtë moment nuk ka kërcënime të besueshme ndaj territorit amerikan”.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë i kanë konsideruar këto informacione si një shenjë të gatishmërisë alarmante të Iranit për të përshkallëzuar situatën, ndërsa përballet me presionin e madh nga sulmet e vazhdueshme ushtarake amerikane dhe bllokada ekonomike ndëshkuese, të cilën zyrtarët e lartë të administratës e kanë cilësuar si “shkatërruese” për vendin.
Sipas këtyre burimeve, informacionet tregojnë se Teherani zyrtar tashmë po planifikon në mënyrë aktive sulme të mundshme brenda territorit amerikan, edhe pse nuk ka prova se ka vendosur t'i vërë ato në zbatim.
“Nëse ata i kanë vërtet personat e nevojshëm në vend për ta realizuar sulmin, kjo mbetet çështje debati”, ka thënë njëri prej burimeve.
Ndërsa bisedimet diplomatike për përfundimin e konfliktit po vazhdojnë me vështirësi, presidenti Donald Trump ka deklaruar javën e kaluar se lufta do të përfundonte “shumë shpejt”.
Dy prej burimeve kanë thënë se gjatë javës së kaluar zyrtarët kanë zhvilluar disa takime për të diskutuar mënyrat e parandalimit të kërcënimit.
Këto zhvillime vijnë në një kohë kur kërcënimet nga Irani e kanë shtyrë Shërbimin Sekret amerikan që javën e kaluar ta zhvendosë sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, në një objekt banimi ushtarak.
Planet iraniane për të goditur zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë, përfshirë edhe një komplot për vrasjen e Trumpit me pagesë në vitin 2024, kanë ekzistuar që nga mandati i parë i presidentit.
Ato kryesisht janë përqendruar në mundësitë për vrasjen e zyrtarëve amerikanë gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara janë jashtëzakonisht të cenueshme ndaj sulmeve me armë jokonvencionale.
Bombat e pista, të cilat janë kombinim i materialeve radioaktive me një bombë konvencionale, janë relativisht të lehta për t'u përgatitur. Irani nuk do të kishte domosdoshmërisht nevojë të fuste në mënyrë të kontrabanduar operativë të trajnuar. Atij do t'i mjaftonte të bindte një person që tashmë jeton në Shtetet e Bashkuara për ta kryer sulmin.
Sipas njërit prej burimeve, inteligjenca amerikane ka kapur komunikime iraniane, në të cilat pretendohet se Teherani zyrtar ka fshehur materiale për prodhimin e bombave brenda territorit amerikan.
Zyrtarët janë të ndarë lidhur me besueshmërinë e këtij informacioni, por në përgjithësi besojnë se do të ishte shumë e lehtë dhe madje e mundshme që Irani të ketë vendosur paraprakisht në SHBA materiale radioaktive ose agjentë kimikë, të cilët mund të përdoren në kombinim me një armë konvencionale.