Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Sijarina paralajmëron aksione të veçanta për rastin e Zekajt: Do të sigurohemi të jemi aty në pikat kritike

Arlinda Zekaj

Aktivistja Liridona Sijarina, ka thënë se aksionet e ardhshme për rastin e Arlinda Zekajt, nuk do të kenë intensitet të lartë, pasi bëhet fjalë për një proces afatgjatë, të cilin aktivistët synojnë ta përcjellin në vazhdimësi, veçanërisht në momentet kritike të hetimeve dhe vendimmarrjes institucionale.

Ajo ka deklaruar se kanë vendosur të ndryshojnë formën e reagimit, duke kaluar nga protestat në aksione të drejtpërdrejta që synojnë zinxhirin institucional përgjegjës për trajtimin e rastit.

“Në ditët në vijim do të ketë aksione të veçanta, por që nuk do të jenë me intensitet të lartë, duke qenë se ky është një proces që po e shohim se do të jetë i gjatë. Do ta përcjellim dhe do të sigurohemi që në pikat kritike të jemi aty, për t’u siguruar që vendimet që merren, sidomos nga hetuesia dhe prokuroria, të jenë vendime të drejta për Arlindën. Gjithashtu, do të sigurohemi që shteti të mos i mbrojë ata që e kanë çuar Arlindën drejt vrasjes”, ka deklaruar Sijarina.

Ajo ka thënë se, përveç komunikimit me kryeprokurorin, nuk kanë pasur kontakte të tjera me institucionet dhe as zhvillime që, sipas saj, tregojnë se kërkesat e tyre po merren seriozisht.

“Përveç kryeprokurorit, nuk kemi pasur komunikim me institucione dhe nuk kemi pasur asnjë zhvillim nga ana e tyre. Përveç punës që po vazhdon Komisioni Hetimor në Parlament, i cili i ka takimet e hapura deri në një pikë dhe që janë të dukshme për publikun, nuk kemi pasur ndonjë komunikim që tregon se ky shtet po i merr seriozisht kërkesat tona. Pavarësisht se suspendimet janë një lëvizje e parë, ne nuk mjaftohemi me aq dhe do t’i qëndrojmë këtij procesi deri në fund. Kjo nuk nënkupton se do të kemi prezencë të përditshme, duke qenë se puna jonë për momentin është duke u ristrukturuar në një mënyrë që strategjikisht t’i kapë disa momente të rëndësishme politike, por edhe t’i prekë nervat e shtetit, për t’u siguruar që aksionet tona të shkaktojnë një parehati institucionale të tillë, që ne e shohim se duhet ta ketë ky shtet, përderisa dështon t’i mbrojë gratë”, ka thënë ajo.

Sijarina ka theksuar se përveç kërkesave për shkarkimin dhe ndjekjen penale të zinxhirit institucional që, sipas aktivistëve, dështoi ta mbrojë Arlindën, ekzistojnë edhe kërkesa të tjera për të cilat ata po angazhohen prej vitesh.

“Ne, si grup i aktivistëve, kemi për qëllim që shteti të mos vazhdojë normalisht dhe pikërisht këtu po përqendrohemi. Protestat kanë qenë të suksesshme në atë që kanë mobilizuar. Tash puna jonë është të sigurohemi që të ketë vazhdimësi dhe insistim që kërkesat të përmbushen... Përveç këtyre kërkesave që janë për shkarkimin dhe ndjekjen penale të zinxhirit që ka dështuar ta mbrojë Arlindën, ka edhe kërkesa të tjera, të cilat kërkojnë më shumë kohë, por për të cilat ne po luftojmë tash e sa vjet dhe do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën luftë edhe më tutje”, ka përfunduar ajo.

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare nga Peja, u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë, nga ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Para vrasjes, Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet dhe kishte pasur urdhër mbrojtës, ndërsa tri ditë para se të vritej i ishte drejtuar edhe kryeprokurores së Pejës për të shprehur shqetësimin për sigurinë e saj. 

Pas rastit u suspenduan kryeprokurorja dhe prokurorja e rastit, si dhe 11 zyrtarë policorë. Vrasja nxiti protesta, me kërkesa për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale, ndërsa Kuvendi i Kosovës themeloi Komisionin Hetimor Parlamentar për këtë rast. /KP