Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

PZAP-ja certifikon Listën Serbe

lista serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjen e parakohshme të 28 dhjetorit.

Më 2 dhjetor, KQZ-ja s’e kishte certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme. Ngjashëm kishte vepruar edhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale më 12 tetor. Si në dy rastet e kaluara, edhe në këtë të fundit, partia më e madhe e serbëve në Kosovë ishte ankuar në PZAP. Dhe PZAP-ja sërish i ka dhënë të drejtë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në vendimin e publikuar më 5 dhjetor, PZAP-ja ka thënë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm dhe jokushtetues.

“Vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me nenet 31 dhe 45 të Kushtetues, si dhe në kundërshtim me nenet 16, 17, 26, 27 dhe 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Urdhërohet KQZ-ja ta konfirmojë subjektin politik Lista Serbe në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Në mbledhjen e së martës në KQZ, dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtuan certifikimin e Listës Serbe, ndërsa kryesuesi Kreshnik Radoniqi e anëtarja serbe votuan pro. Ndërkohë shtatë anëtarët e tjerë abstenuan.