Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur ta pranojë ankesën e Listës Serbe dhe të certifikojë kandidatët për deputetë nga kjo parti për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Në vendimin e publikuar të shtunën, PZAP-ja ka thënë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e kandidatëve në mbledhjen e 10 dhjetorit është i mangët, jo i plotë dhe nuk i trajton çështjet dhe faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për certifikimin e subjektit politik.
“Në mungesë të një arsyetimi të mirëfilltë ligjor konkludohet se vendimi i tillë nuk mund të qëndrojë juridikisht pasi që nuk përmban as vlerësimin e duhur të fakteve në raport me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me Rregulloren e Certifikimit të subjekteve politike”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
PZAP-ja tutje ka thënë se Lista Serbe ka respektuar të gjitha afatet për regjistrimin e kandidatëve dhe ka marrë rekomandim pozitiv nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar, “prandaj e ka aprovuar ankesën”.
KQZ-ja s’e pati certifikuar Listën Serbe as si parti. Po ngjashëm, PZAP-ja e kishte kthyer vendimin. Kështu kishte ndodhur edhe në zgjedhjet lokale, por edhe ato parlamentare më 9 shkurt.
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ kanë votuar kundër certifikimit, me arsyetimin se Lista Serbe është e angazhuar në veprimtari kundër rendit juridik e kushtetues të Kosovës. Përfaqësues të subjekteve të tjera në KQZ kanë abstenuar, kurse kryesuesi i këtij institucioni dhe anëtarja nga radhët e Listës Serbe kanë votuar pro certifikimit.
Sa herë KQZ-ja ka marrë vendim kundër certifikimit, kanë pasuar reagime ndërkombëtare dhe paralajmërime për pasoja.