Arbëri

PZAP obligon KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e 12 tetorit

PZAP

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa përmes vendimit të publikuar sot ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12  tetorit.

PZAP në vendimin e saj ka konstatuar se Lista Serbe brenda afatit të paraparë me ligj ka paraqitur kërkesën për konfirmim të listës së kandidatëve për këshilltarë në 19 komuna dhe kandidatëve për kryetar komune nga 11 komuna përmes platformës online llogarisë së tij të përdoruesit në Zyrën për Regjistrim, Certifikim, Konfirmim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRKKFSP).

PZAP tutje në vendim thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka të drejtë të refuzojë ose të mos certifikojë në mënyrë arbitrare, pa shpjegime, një subjekt politik ose kandidat.

Me këtë sjellje, sipas PZAP-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkeli si nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili parashikon të drejtën për një vendim të arsyetuar, ashtu edhe nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili parashikon se "1. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të votojë dhe të zgjedhë, përveç nëse kjo e drejtë kufizohet me vendim gjykate. Këto norma kushtetuese të cituara më sipër rregullojnë të drejtën aktive dhe pasive të votës, dhe përcaktojnë se kushdo që ka mbushur moshën 18 vjeç ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje si votues, të votojë, që është një komponent aktiv i kësaj të drejte, dhe të zgjidhet, që do të thotë të kandidojë për poste në zgjedhje, që është një komponent pasiv i kësaj të drejte”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, certifikimi u refuzua, pasi paraprakisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë. E të premten, kjo parti paralajmëroi ankesë në PZAP.

Vendimi i KQZ-së nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian në një reagim të përbashkët të premten e kanë cilësuar minim të parimeve të demokracisë pengimin e partive të komuniteteve pakicë nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Edhe Ambasada Amerikane ka kërkuar që asnjë partie të mos i mohohet pjesëmarrja në zgjedhje.

Lista Serbe është partia kryesore e serbëve të Kosovës. Ajo mban lidhje të forta me Serbinë, ndërkaq zyrtarë të saj që zgjidhen në institucione të Kosovës në shumë raste kanë mbajtur edhe funksione në institucionet paralele të Serbisë, që funksionojnë ilegalisht në Kosovë.

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të organizuar në 2023-tën në Banjskë të Zveçanit, e në të cilin morën pjesë rreth 50 persona të armatosur. Pas sulmit, ai dha dorëheqje nga partia dhe ndodhet në Serbi.

Vendimi i PZAP për LS.pdf

 

Haxhiu e quan skandaloz vendimin e PZAP-së për Listën Serbe

4 o. më parë / 24 gus 2025 14:11
Albulena Haxhiu

Photo: Driton Paçarada

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka quajtur skandaloz vendimin e PZAP-së për aprovimin e ankesës së Listës Serbe kundër vendimit të KQZ-së për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025, raporton Ekonomia Online.

“Është vendim skandaloz, nuk arrita ta lexoj në plotni por siç e pashë PZAP ka urdhëruar KQZ që të bëjë certifikimin e Listën Serbe. Për mua është një vendim tejet i dëmshëm. Ngutia e PZAP pavarësisht që ka pasur kohë 72 orë, lë të nënkuptojë se ka pasur presione mbi këtë institucion. Duhet të shihet mundësia që ky vendim të dërgohet në Gjykatën Supreme”, tha Haxhiu.

Ajo ka thënë se ky vendim e bën përgjegjës PZAP-në për veprimtarinë kriminale të Listës Serbe.

Pas deklarimit për media,  në një postim në Facebook ka shkruar se: “sipas logjikës së PZAP-it, edhe kryeterroristi Milan Radoiçiq do të duhej të certifikohej për pjesëmarrje në zgjedhje. Një absurditet i frikshëm”.