Reklama

IPKO bashkon komunitetin: Kujdesi ndaj shëndetit fillon me ndërgjegjësim

IPKO

Në kuadër të fushatës “Së bashku kundër kancerit”, IPKO po fuqizon ndërgjegjësimin për shëndetin e grave dhe parandalimin e kancerit të gjirit përmes një sërë aktivitetesh sensibilizuese që po zhvillohen nga data 24 deri më 26 tetor në Prishtina Mall, në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, Prishtina Mall dhe Telegrafin.

Gjatë këtyre tri ditëve, qytetarët do të kenë mundësinë të marrin këshilla të drejtpërdrejta nga profesionistë të shëndetit, gjinekologë, onkologë, radiologë, patologë dhe nutricionistë, të cilët do të ofrojnë orientim mbi kontrollin e hershëm, faktorët e rrezikut dhe rëndësinë e stilit të shëndetshëm të jetesës. Kjo hapësirë është konceptuar si vend i dialogut, mbështetjes dhe informimit të saktë, ku çdo vizitor mund të marrë përgjigje profesionale dhe të dobishme.

Si pjesë e fushatës, IPKO po rikonfirmon mbështetjen e saj për pacientët dhe familjet që përballen me këtë sfidë, duke ndarë histori reale të guximit dhe fuqisë së grave që kanë kaluar përmes kësaj përvoje.

“Kujdesi ndaj shëndetit është një përgjegjësi që na bashkon të gjithëve. Ne në IPKO besojmë se vetëdijesimi shpëton jetë, dhe për këtë arsye do të vazhdojmë të investojmë në fushata që sjellin informim, mbështetje dhe shpresë për çdo grua.”- u shpreh Afrika Zyferi, udhëheqëse e Komunikimit në IPKO.

Ky përkushtim reflektohet jo vetëm përmes fushatave të ndërgjegjësimit, por edhe në mbështetje të drejtpërdrejtë për institucionet shëndetësore në Kosovë. Prej vitesh, IPKO ka kontribuar në përmirësimin e kushteve të trajtimit përmes donacioneve të pajisjeve mjekësore që ndihmojnë në diagnostikimin dhe trajtimin e hershëm të kancerit, veçanërisht në QMF dhe QKUK, duke forcuar kapacitetet mjekësore dhe duke mundësuar që më shumë pacientë të marrin kujdes cilësor.

Këto iniciativa janë pjesë e përkushtimit afatgjatë të IPKO-s për shëndetin e komunitetit dhe për theksimin e rëndësisë që ka parandalimi dhe kujdesi i hershëm në luftën kundër kancerit.