Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga 1 nëntori deri më 15 janar 2026 do të zhvillojë fushatë informuese për të adresuar paqartësitë lidhur me zbatimin e Ligjit për Automjete dhe Ligjit për të Huajt.
Sipas njoftimit, fushata do të realizohet përmes takimeve me qytetarë, shoqërinë civile e kanale zyrtare të komunikimit.
“Fokusi i veçantë i kësaj fushate do të jetë informimi i qytetarëve për kushtet e pjesëmarrjes në trafik në territorin e Republikës së Kosovës, veçanërisht për automjetet e regjistruara në vendin e huaj dhe çështjet që ndërlidhen me zbatimin e dispozitave ligjore për automjetet. Fushata, gjithashtu do të ofrojë udhëzime praktike për hyrjen, lëvizjen, qëndrimin dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës. Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar për të siguruar bashkëpunim të hapur dhe transparent me të gjithë qytetarët, pa dallim, me qëllim të informimit të drejtë, zbatimit të plotë të ligjeve dhe përmbushjes së obligimeve ligjore”, thuhet në njoftim.
Përderisa MPB-ja tani ka lajmëruar për fushatë intensive të informimit, javë më parë Policia e Kosovës për rajonin e veriut pati thënë se nga 1 nëntori, pronarët e automjeteve me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë më gjatë se tre muaj. Vendimi pritet t’i prekë në masë edhe pjesëtarët e komunitetit serb që shpesh përdorin automjete me targa të Serbisë – që i riregjistruan në Serbi pasi Kosova ndaloi targat me shkurtesa të Serbisë për qytetet e Kosovës.
Në Serbi autorizimet për automjete lëshohen në bazë të letërnjoftimit dhe lejes së qarkullimit.
Në praktikë, kjo do të thotë se serbët e Kosovës, të cilët nuk e kanë ndryshuar vendbanimin në sistemin serb dhe qarkullojnë me targa të një qyteti në Serbi, figurojnë në autorizim me të dhënat e letërnjoftimit të lëshuar nga organet e Serbisë për qytetet në Kosovë – dokumente që autoritetet kosovare nuk i njohin, ka shkruar Radio Evropa e Lirë.
Ndërrimi i targave serbe me ato kosovare ka qenë një prej çështjeve më të ndjeshme që ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, pjesëtarët e komunitetit serb, me nismën e Listës Serbe, kishin braktisur institucionet e Kosovës në veri.