Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Disa OJQ serbe bojkotojnë takimin informues për Ligjet për të Huaj dhe për Automjete

Takimi në Mitrovicë të Veriut

Tryeza informues erreth Ligjit për Automjete dhe atij për të Huaj, e organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në veri të Mitrovicës është bojkotuar nga disa organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb. 

Takimi u mbajt në kuadër të fushatës vetëdijesuese që MPB-ja është duke zhvilluar për këto dy ligje.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

MPB-ja në njoftimin për media nuk ka përmendur numra sa OJQ e kanë bojkotuar këtë takim.

Në tryezë morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, Genc Metaj, shefja e kabinetit të ministrit, Jeta Tela, drejtori i përgjithshëm i ARC-së, Jetmir Haziri, zyrtarë të lartë të Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të disa OJQ-ve.

Gjatë diskutimit, Tela theksoi se qëllimi i tryezës ishte informimi i drejtpërdrejtë i organizatave të shoqërisë civile, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.

Ajo theksoi se Ligji për të Huaj është në fuqi që nga viti 2013, ndërsa Ligji për Automjete që nga viti 2017. Megjithatë, sipas saj, institucionet po zhvillojnë këtë fushatë me qëllim që qytetarët, vizitorët e huaj dhe të gjithë të huajt që hyjnë në Kosovë të kenë informata të sakta për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore.

“Në vazhdën e përmirësimit të shërbimeve dhe ofrimit të tyre sa më afër qytetarëve, Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar njëkohësisht edhe në decentralizimin e shërbimeve. Pra, tash përveç në Prishtinë, do të ofrohet mundësia për aplikim për leje qëndrimi edhe në tri rajone të tjera: në Mitrovicën e Veriut, Gjilan dhe Prizren, në mënyrë që të gjithë ata që preken nga Ligji për të Huaj, përfshirë edhe komunat e pjesës veriore, të kenë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në këto shërbime”, ka thënë Tela. 

Nga MPB-ja u shpreh zhgënjim për bojkotin e disa organizatave nga komuniteti serb, të cilat nuk e shfrytëzuan mundësinë për të kontribuar në informimin e komuniteteve që përfaqësojnë apo të të huajve që qëndrojnë në komunat e tyre.

“Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme do të vazhdojë të mbajë takime informuese për një komunikim të hapur me qytetarët dhe organizatat. Po ashtu, u bëhet thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dezinformatave dhe për çdo informacion të saktë të ndjekin kanalet zyrtare të MPB-së dhe Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë. 

Fushata informuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme për efektet që do t’i prodhojë zbatimi i plotë i Ligjit për të Huajt dhe i atij për Automjetet është afër fundit. Bazuar në paralajmërimet e deritashme të Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zbatimi i tyre pritet të nisë nga e hëna e ardhshme. Por në këtë ministri nuk u janë përgjigjur pyetjeve nëse zbatimi i plotë i tyre do të nisë, sipas planit, apo mund të shtyhet edhe për të tretën herë.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

E nisja e zbatimit të Ligjit për Automjetet parasheh ndalesën e ngasjes së automjetit me targa të huaja nga një shtetas i Kosovës, pa prani të pronarit ligjor edhe kur ai i jep autorizim për këtë.

Nga këto politika, më së shumti pritet të preken shtetasit e Serbisë dhe ata të Shqipërisë.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

E subjekti opozitar në Serbi, Partia e Re Demokratike, ka paralajmëruar për të shtunën protestë nga Rashka në Jarinjë me sloganin: “Serbët nuk janë të huaj brenda shtetit të tyre”.

“Me rastin e fillimit të zbatimit të Ligjit për të Huajt, të miratuar nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili – sipas këtij mesazhi – është i drejtuar kundër popullit serb që jeton në Kosovë, ju ftojmë të gjithëve në një tubim mbështetjeje për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë! Tani ata kanë nevojë për ne më shumë se kurrë!”, thuhet në njoftimin e kësaj partie.

Ky subjekt ka paralajmëruar bllokim dyorësh të qarkullimit në pikën kufitare Jarinjë, duke nisur nga ora 12 e 44, si referencë për rezolutën 1244 të OKB-së për Kosovën.

Kundërshtimet nga Serbia për ligjet ndërlidhen me çështjen se në veri ka ende banorë serbë që nuk janë pajisur me dokumente të Kosovës, e edhe shtetas të Serbisë që punojnë në Kosovë e që do të detyrohen të marrin leje pune nga institucionet e Kosovës.

Një tjetër shkak është prania e madhe e veturave me targa të Serbisë, e të cilat, banorë në veri do të detyrohen t’i nxjerrin nga vendi, çdo tre muaj.