Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Me Ligjin për të Huajt nis edhe zbatimi i lehtësirave

Pika kufitare në Jarinjë

Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e plotë të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, pas periudhës informuese të paraparë deri me 15 mars dhe se nga data 16 mars mund të fillohet me aplikime për lejeqëndrim apo lajmërim të adresës. MPB-ja e ka bërë publike vegëzën online ku përmes së cilës, shtetasit e huaj mund ta regjistrojnë dhe çregjistrojnë adresën e tyre të qëndrimit.

Shtetasit e huaj tash e tutje obligohen që brenda tri ditësh nga hyrja në Kosovë të lajmërohen në Polici – por këtë, ata mund ta bëjnë edhe online, derisa vazhdojnë ta kenë mundësinë e lajmërimit në stacion policor.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se nga 16 marsi nis zbatimi i kësaj politike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bashkë me njërin nga njoftimet që i ka lëshuar e ka shpërndarë vjegëzën “foreignerregistration.kosovopolice.com:8444”.

Kjo vjegëz dërgon te formularim për lajmërim apo ç’lajmërim të adresës dhe faqja mund të hapet, në gjuhen shqipe, serbisht si dhe në gjuhen angleze.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka, njoftuan se është lansuar aplikacioni për këtë edhe  në IOS e Adroid.

Por vegëzat që çojnë në dy aplikacione: njëra në Android dhe tjetra në IOS të promovuara nga Qeveria nuk ishin funksionale gjatë ditës të dielën.

KOHA ka pyetur Qeverinë lidhur me mosfunksionimin e aplikacionit. Por, deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje.

MPB-ja ka njoftuar po ashtu se brenda tre muajsh do të nxjerr aktet nënligjore për ta mundësuar deponimin e dokumenteve të strukturave paralele serbe.

Një pakice të banorëve serb që nuk janë pajisur me dokumente të Kosovës kjo politikë do t’ua mundësojë të bëhen shtetas kosovarë.

“Gjithashtu, në kuadër të këtij procesi, Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerrë aktet e nevojshme administrative për mundësimin e regjistrimit, për një periudhë tre (3) mujore, të fakteve të lindjes, martesës dhe vdekjes të regjistruara deri më 15 mars 2026 në institucionet jolegale paralele serbe, me qëllim integrimin e tyre në Regjistrit Civil të Republikës së Kosovës”, thuhet nga Ministria e Brendshme.

Për një periudhë tranzitore 3 mujore që e ka paraparë Qeveria, Kosova përsëri do t’i njohë dokumentet e lëshuara nga strukturat paralele.

“Ministria do të nxjerrë vendimet e nevojshme administrative për njohjen e përkohshme të kartës së identitetit të lëshuar nga strukturat jolegale paralele serbe, ekskluzivisht për qëllime identifikimi, në përputhje me kornizën ligjore në fuqi. Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, përfshirë Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) dhe Policinë e Kosovës, do të ofrojë të gjitha informatat dhe udhëzimet e nevojshme për qytetarët që preken nga këto vendime. Njëkohësisht, Ministria do të përgatitet për fillimin e lëshimit të lejeqëndrimeve të përkohshme pas pranimit të listave të punëtorëve në sistemin shëndetësor dhe të arsimit nga komunat dhe pas aplikimit individual të këtyre personave, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi”, thuhet nga MPB-ja.

Kryeministri Kurti të shtunën në konferencë për media tha se kjo politik dëshmon vendosmërinë  e Qeverisë së Kosovës për zbatim të plotë të sovranitetit në gjithë territorin e vendit, “për trajtim të barabartë dhe pa asnjë diskriminim të të gjithë qytetarëve”.

Ai ka folur edhe për futjen e institucioneve të shëndetësisë e arsimit serbe në struktura formale të Kosovë.

BE-ja, Gjermania e Franca e kanë përgëzuar njoftimin e kryeministrit Albin Kurti lidhur me lehtësirat për zbatimin e ligjit për të huajt.

E partitë opozitare e kritikuan pse lëshoi pe nga zbatimi i ligjit duke e fajësuar Qeverinë se po e legjitimon punën e institucioneve paralele.

Ish-kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu, po ashtu ka thënë se me Serbinë duhet reciprocitet, meqë ky shtet ka mbi një dekadë që nuk i njeh diplomat e lëshuara nga universitetet e Kosovës, që do të thotë se mbi 10 gjenerata profesionistësh kanë migruar nga Lugina si rezultat i asaj politike.