Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

SHBA-ja mirëpret zgjidhjen për zbatimin e Ligjit për të huajt

SHBA-Kosove

Marrëveshja e arritur mes Qeverisë dhe Bashkimit Evropian për lehtësirat ndaj serbëve gjatë zbatimit të Ligjit për të huajt, është përshëndetur nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Sipas saj, çdo ndryshim që prek serbët duhet të bëhet në koordinim me ta. E deri të martën pasdite, mbi 100 shtetas të huaj, shumica e të cilëve të Serbisë, i kanë regjistruar adresat e tyre të qëndrimit në Kosovë, në përputhje me Ligjin për të Huajt, kanë bërë të ditur burime të KOHËS

 Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë e ka mirëpritur dakordimin që Qeveria e arriti me Bashkimin Evropian për lehtësira ndaj serbëve gjatë zbatimit të Ligjit për të huajt.

Në ambasadë kanë thënë se çdo ndryshim që prek komunitetin serb duhet të bëhet në konsultim me pjesëtarët e tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“E përgëzojmë angazhimin e palëve në këtë çështje për të arritur zgjidhje të pranueshme për të dyja palët”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Kundër lëshimit të Qeverisë ka reaguar PDK-ja dhe disa deputetë të LDK-së e AAK-së.

Një ditë më parë, Zyra e BE-së në Prishtinë shprehu befasi nga reagimi i PDK-së, sipas së cilës parti, marrëveshja cenon sovranitetin e Kosovës dhe legjitimon strukturat ilegale të Serbisë.

“PDK gjithmonë ka qenë e përkushtuar ndaj rrugës së Kosovës drejt BE-së dhe ndaj Dialogut, duke marrë pjesë në mënyrë konstruktive në negociata, si dhe në nënshkrimin dhe ratifikimin e marrëveshjeve”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Por të martën kësaj deklarate të BE-së iu kundërpërgjigj deputeti i PDK-së Artan Behrami.
Sipas tij PDK-ja është viktima më e madhe e devotshmërisë ndaj perëndimit.

“PDK-ja është viktima më e madhe e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj Perëndimit. Ndërsa VV-ja është përfituesja më e madhe nga konfrontimi, nga dhuna politike dhe nga besëprerja ndaj Perëndimit. Andaj, mos u befasoni me një standard që vetë e keni legjitimuar”, ka shkruar deputeti Behrami.

Me ndërmjetësimin e BE-së, Qeveria është pajtuar që zbatimi i Ligjit për të huaj të bëhet me lehtësira për komunitetin serb. Bazuar në to, studentëve dhe punëtorëve do t’u ofrohet leje e përkohshme e qëndrimit me afat 12 mujor. Krahas kësaj, edhe përgjatë tre muajve, Qeveria t’i njohë dokumentet e identifikimit të lëshuara nga strukturat paralele serbe.

E deri të martën pasdite, mbi 100 shtetas të huaj, shumica e të cilëve të Serbisë, i kanë regjistruar adresat e tyre të qëndrimit në Kosovë, në përputhje me Ligjin për të Huajt, kanë bërë të ditur burime të KOHËS.

Ligji ka hyrë në fuqi që nga e diela, një ditë pasi Qeveria, me kërkesë nga Bashkimi Evropian, është pajtuar që t’u ofrojë lehtësira qytetarëve serbë.

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se shtetas të huaj kanë nisur regjistrimin e adresave.

“Procesi i deklarimit të adresës në mënyrë elektronike për shtetasit e huaj ka filluar dhe tashmë ka persona që kanë kryer regjistrimin përmes aplikacionit apo webfaqes së Policisë së Kosovës, ose në stacionin më të afërt policor, në përputhje me detyrimet ligjore për regjistrimin e adresës brenda afatit prej tri ditësh nga momenti i hyrjes në Republikën e Kosovës. Procesi po zhvillohet normalisht dhe sistemi është funksional për të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës”, ka bërë të ditur MPB-ja. 

Në këtë Ministri nuk e kanë bërë të ditur numrin e personave të regjistruar, por kanë thënë se po punohet në rregullimin e aplikacionit edhe për telefona mobilë me sistem operativ IOS. 

“MPB i ka bërë të gjitha planifikimet e nevojshme për aplikacionin në dy sistemet operative. Sa i përket platformës telefonike iOS, ajo ka disa politika të veta për konfirmime, por sipas informacioneve që kemi, shumë shpejt edhe në iOS do të mundësohet deklarimi i adresës për shtetasit e huaj”, ka njoftuar kjo ministri.

Bashkë me Ligjin për të huajt, në fuqi ka hyrë edhe ai për automjete i cili gjithashtu përcakton se veturat me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj.