Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Behrami i PDK-së i përgjigjet “befasimit” të BE-së

Artan Behrami

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, i është përgjigjur asaj që Bashkimi Evropian e cilësoi si befasi, kur iu referua reagimit të këtij subjekti politik lidhur me çështjen e Ligjit për të huajt.

Një ditë më parë, në një përgjigje për KOHËN, BE-ja ka thënë se është befasuar me reagimet e partive opozitare që kritikuan kryeministrin Albin Kurti për lëshimin pe duke mundësuar lehtësime në zbatimin e Ligjit për të huajt dhe të atij për automjete për serbët që punojnë në institucione paralele dhe që studiojnë në universitetin në veri.

E tani Behrami, në një shkrim në Facebook ka thënë se PDK-ja është viktima më e madhe e dialogut.

“PDK-ja është viktima më e madhe e dialogut, bashkëpunimit dhe lojalitetit ndaj Perëndimit. Ndërsa VV-ja është përfituesja më e madhe nga konfrontimi, nga dhuna politike dhe nga besëprerja ndaj Perëndimit. Andaj, mos u befasoni me një standard që vetë e keni legjitimuar. Me negociatat sekrete dhe pranimin e strukturave paralele, Kurti ka vendosur themelet e jetësimit të Zajednicës. Ajo, bazuar në marrëveshjen e Ohrit, parasheh autonomi territoriale për veriun dhe eksteritorialitet për kishat ortodokse serbe”, ka shkruar Behrami në Facebook.

Qeveria është pajtuar që, duke nisur nga e diela, zbatimi i Ligjit për të huajt dhe i atij për automjete të fillojë me lehtësira për serbët që punojnë në institucione paralele apo që studiojnë në universitetin në veri. Me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili për këtë çështje e dërgoi në Kosovë emisarin e posaçëm për dialogun, Peter Sorensen, Kosova u pajtua që t’u lëshojë leje qëndrimi 12-mujore studentëve serbë që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’i pranojë dokumentet e identifikimit të lëshuara edhe nga strukturat ilegale, edhe për tre muaj. Vendimi nxiti reagimin e opozitës, por u mirëprit nga ambasadorë të akredituar në Kosovë.