Ka nisur zbatimi i plotë i ligjit për të huajt bashkë me lehtësirat e dedikuara për shtetasit e Serbisë. Burime në institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se tashmë ka shtetas të huaj që kanë regjistruar adresat e tyre. Përfaqësues të Serbisë kanë deklaruar se institucionet shëndetësore e arsimore në sistem serb po funksionojnë normalisht. E opozita ka vazhduar me kritika ndaj Qeverisë për gënjeshtra e mostransparencë
Shtetas të huaj, përfshirë edhe të Serbisë, u janë bindur ligjeve të Kosovës duke i lajmëruar adresat e qëndrimit, kanë bërë të ditur burime brenda institucioneve të Kosovës.
Krahas vegëzës në faqen e Policisë “foreignerregistration.kosovopolice.com:8444”, është aktivizuar edhe aplikacioni në Android me emrin “Foreigner Registration”, ndërsa ai në sistemin IOS ende nuk është bërë funksional.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë aplikacionin në Android, para plotësimit të formularit, shtetasit e huaj japin pajtim për kushtet dhe njoftohen se nëse gënjejnë në aplikacion mund të ndiqen penalisht.
Qeveria e Kosovës ka rënë dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, e të cilët punojnë në institucionet paralele të arsimit dhe shëndetësisë dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet në Serbi për një periudhë tremujore.
E zyrtarët në Serbi, ofrimin e lehtësirave nga Qeveria, lidhur me Ligjin për të huajt e kanë përkthyer si fitore.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, ka pretenduar se ka parandaluar një përndjekje kundër serbëve në Kosovë, tek është shfaqur me ton të relaksuar lidhur me nisjen e zbatimit të ligjit me lehtësira për serbët.
“Kemi ruajtur institucionet tona në Kosovë që do të thotë se të gjithë punëtorët që kanë punuar në institucionet tona, në këto institucione jetike për mbijetesën e popullit serb, mund të punojnë normalisht”, ka thënë Petkoviq.
Zhvillimet rreth Ligjit për të huajt kanë nxitur reagime te opozita në Kosovë.
PDK-ja ka organizuar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeveris pas të cilit është thënë se kryeministri Albin Kurti ka gënjyer për strukturat paralele të Serbisë.
Deputetja e PDK-së Arbnora Salihu, në emër të rinisë së Partisë Demokratike ka folur për gënjeshtrat, që sipas saj i ka bërë Kurti.
“E kemi mbushur këtë thes me disa nga gënjeshtrat e Albin Kurtit, i cili deklaronte se i ka çrrënjosur strukturat paralele në pjesën veriore të vendit. Ky thes shfaq qasjen e tij manipulative me fjalë të mëdha në emër të patriotizmit dhe me vepra në dëm të interesit shtetëror”, ka thënë Salihu.
E zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, ka theksuar se nuk ka pasur transparencë në marrëveshjen që Qeveria e arriti me Bashkimin Evropian për zbatimin e ligjit për të huajt.
“Ka pasur bisedime të fshehta. Kemi të bëjmë me diçka që e prek në thelb sovranitetin e Kosovës. Ne në mënyrë imponuese jemi ekspozuar para një Qeverie që na thotë në mënyrë të vazhdueshme “mori fund”, se “veriu, u kry ajo punë”, se “nuk kemi të bëjmë me struktura paralele” tash biem në përfundim se paska edhe marrëveshje me ato struktura se janë bërë dorë e zgjatur – se kjo Qeveri e ka bërë një gjë të tillë... Ky vakum institucional krijon atë vakumin që “ujku do mjegull” dhe brenda kësaj mjegulle janë bërë biseda të tilla dhe jemi para aktit të kryer. Kjo është marrëzi. Kjo duhet të ndëshkohet”, ka thënë ai.
Kryeministri Kurti gjatë paralajmërimit të këtyre politikave lehtësuese që lidhen me serbët, ka thënë se qëllimi i Kosovës nuk është që t’i pengojë shërbimet esenciale për qytetarët e saj.
Ai ka thënë se ky është hap drejt integrimit të sistemit arsimor e shëndetësor serb në atë të Kosovës, në një mënyrë që përfitojnë qytetarët.
BE-ja, Gjermania e Franca e kanë përgëzuar Kosovën për masat lehtësuese që lidhen me zbatimin e Ligjit për të huajt.
Bashkë me Ligjin për të huajt, në fuqi më 15 mars ka hyrë edhe Ligji për Automjete, po ashtu i kundërshtuar nga serbët.
Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013, kurse ai për automjetet më 2017.