OpEd

COVID-19: Një fushëbetejë e re për demokracinë në Evropën Juglindore

Ani pse vendet evropiane janë mësuar përherë e më shumë që të mbështeten në SHBA-në, Amerika gjithnjë e më e kthyer kah vetja nuk duket se do të jetë një burim i stabilitetit kësaj radhe. Në ndërkohë, derisa të çarat veç po shihen në marrëdhënien e Evropës me fqinjësi dhe madje midis vendeve të BE-së, Kina veç është gati që ta përdorë të çarën mes tyre dhe ta thellojë atë edhe më tepër. Pra, sado e domosdoshme të jetë fitorja e betejës ndaj COVID-19, po aq e rëndësishme për Evropën liberale është që ta fitojë betejën e narracionit të saj

COVID-19 jo vetëm se ka shkaktuar një krizë globale të shëndetit publik, por është duke e përshpejtuar po ashtu një tërheqje gjeopolitike të luftës lidhur me narrativen dhe politikat e pandemisë. Shtetet e Ballkanit janë fushëbeteja e fundit.

Në njërën anë, Bashkimi Evropian po e çon përpara agjendën e liberalizmit dhe solidaritetit evropian. E në anën tjetër, akteri relativisht i ri në rajon – Kina – po shënon avancim dhe po e zgjeron ndikimin e tij, sidomos në demokracitë e reja dhe më pak të konsoliduara të Ballkanit Perëndimor, por edhe në ato të reja që janë anëtare të BE-së.

Audienca e shënjestruar: zemrat dhe mendjet e popujve të Evropës.

Padyshim, kjo krizë mund të përkufizohet në shumë mënyra. Është kuptuar si një çështje urgjente shëndetësore, si në nivel global, ashtu edhe atë kombëtar. Po interpretohet po ashtu si një krizë globale ekonomike, me ç’rast shumë analistë kanë tërhequr analogji me depresionin që pasoi rrënimin e tregut të aksioneve më 1929. Dhe përkufizimi i tretë kyç ka të bëjë me efektin e pandemisë mbi demokracitë dhe sistemet e tjera politike përreth botës, si dhe mbi marrëdhëniet midis fuqive globale, me theks të veçantë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja dhe Kina. Përmes këtij përkufizimi mund të dallohen narrativet përplasëse dhe implikacionet e tyre politike në menaxhimin e krizës me COVID-19.

Kina po mundohet që ta përkufizojë emergjencën publike shëndetësore si diçka më shumë se pandemi; po e portretizon si një sprovë për shtetet. Sprovë e efikasitetit dhe kapacitetit për t’u ballafaquar me virusin. Një sprovë kjo në të cilën Kina dhe për nga shtrirja, regjimet autoritare dhe demokracitë joliberale po shënojnë më shumë pikë sesa demokracitë liberale perëndimore. Autoritetet kineze e kanë çuar përpara narrativen që e portretizon demokracinë si inferiore karshi sistemit autoritar kinez të qeverisjes. Në tekstet shkollore kineze mund të haset në pretendimin se demokracia liberale shumëpartiake është e pamjaftueshme, partizane dhe përçarëse. Në të kundërtën, sistemi njëpartiak kinez i qeverisjes, vazhdon narracioni, është efikas dhe nuk krijon hapësirë për beteja të brendshme dhe populizëm.

Kjo nuk është një ide e re. Mund të shkohet madje aq larg sa te Platoni për të kërkuar argumente që i diskreditojnë mënyrat e menaxhimit të COVID-19 nga demokracitë liberale. Pekini e jep një argument në dukje bindës; shumica e vendeve që kanë shfaqur performanca më të dobëta janë në fakt demokracitë liberale të Perëndimit si: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar. Në të njëjtën kohë, shumë shtete autoritare, po aq sa demokracitë joliberale apo me të meta, siç janë Kina, Vjetnami dhe disa shtete të Ballkanit, janë shfaqur tejet të suksesshme në menaxhimin e pandemisë. Bazuar në rezultatin e tyre në Indeksin Global të Sigurisë së Shëndetit, do të mund të pritej që shtetet ballkanike të kishin më shumë telashe në trajtimin e kësaj emergjence. Por megjithëkëtë, të dhënat e mbledhura nga programi për Evropën Juglindore i ELIAMEP sugjerojnë për një menaxhim dukshëm më efikas të krizës, si për sa u përket rasteve, ashtu edhe vdekjeve.

Kjo tezë shqetësuese ofron argumente bindëse që e mbështesin rastin e autoritarizmit; argumente këto që Republika Popullore e Kinës i ka përdorur në mënyrë rutinore. Pos kësaj, Kina ka asistuar shtetet e Gadishullit Ballkanik dhe e ka paraqitur veten si një alternativë të fortë dhe të besueshme e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

Hezitimi fillestar i BE-së për ta ofruar asistencën e saj gjithëpërfshirëse mund potencialisht t’i fuqizojë zërat e atyre të cilët po mundohen që ta minojnë demokracinë në rajon.

Sidoqoftë, ka shumë arsye se pse ky argument i “efikasitetit autoritar” mund të shihet si një harengë e kuqe. Mbase këtu nuk është aq fjala për demokraci, por më shumë për politika të çala. Disa shtete kanë qenë të ngadalta në reagime, shkaku i frikës së ndëshkimit elektoral të një publiku akoma të pabindur për kërcënimin që përbën pandemia. Të tjerat kanë qenë të bindura se mund ta përballojnë ngritjen e shpejtë të numrit të rasteve, bazuar në ekonomitë e tyre të fuqishme dhe kapacitetet e mjaftueshme të sistemeve shëndetësore. Disa demokraci duket ta kenë paguar një çmim të lartë, ngase nuk kanë zgjedhur që t’i trazojnë vlerat e tyre liberale.

Sido që të jetë, ka po ashtu shembuj të suksesshëm, si Tajvani, Japonia dhe Koreja Jugore, të cilët lënë të kuptohet se sistemet demokratike mund të bëhen të papërshkueshme nga rreziqet e tilla përmes reformave dhe parapërgatitjes.

Përpjekjet e Kinës për ta ndryshuar narracionin e krizës dhe për të ushtruar ndikim në Evropë me “diplomacinë e maskave” shërbejnë për ta eksportuar ideologjinë e saj: autoritarizmin. Demokracitë e reja të Ballkanit janë parë kaherë si ambivalente ndaj demokracisë. Indeksi i Freedom House i rendit ato vetëm si pjesërisht të lira, meqë pasojat e shumta të luftërave jugosllave ende po e trazojnë spektrin politik, publik dhe gjithë jetën e qytetarëve të tyre. Dhe Kina i ofron ujdi të këndshme çdo autokrati në ardhje në Ballkan.

BE-ja kërkon respektimin e standardeve zor të përmbushme për çdo aspekt të qeverisjes. Kësisoj, do të ishte më e thjeshtë për politikanët që t’i ktheheshin një partneri të ri, i cili, qartazi, nuk do të jetë kritik karshi shkeljes së të drejtave të njeriut, nuk do të kërkonte transparencë dhe mbase si më e rëndësishmja, ka treguar gatishmërinë për të investuar majmë për partnerët e tij.

Në disa vende, nuk gjendet tokë e pëlleshme për ndikimin kinez në asnjërën formë. Qeveria spanjolle, për shembull, ka refuzuar “ndihmën” kineze. Në të kundërtën, ka vende të tjera që janë ndier të braktisura nga BE-ja dhe Perëndimi dhe që shfaqen si më të hapura. Kroacia, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Greqia dhe madje Italia kanë pranuar donacione pajisjesh dhe ndihmë nga Kina.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka shkuar madje aq larg sa të deklarojë se Solidariteti Evropian nuk ekziston dhe se Kina është vendi i vetëm që mund ta ndihmojë Serbinë në dënimin e asaj se ndihma financiare nga BE-ja ishte e pamjaftueshme. Në Itali, thirrjet për asistencë nuk u dëgjuan nga vendet e tjera anëtare, teksa Kina i ofroi ndihmë një vendi ku, bazuar në një studim të fundit, më se 40 për qind e popullatës dëshiron daljen nga BE-ja.

Mund vetëm të spekulohet synimi përfundimtar i politikave kineze. E atyre rëndom u referohet si ushtrim i “pushtetit të butë” me qëllim të sigurimit të një terreni përreth botës dhe, në kontekstin aktual, shpërqendrimin e vëmendjes prej mangësive të vetë menaxhimit të saj me krizën, sidomos në rajonin e Wuhanit. Politikat e tilla mund t’i atribuohen po ashtu përpjekjes së udhëheqjes së saj për ta lartësuar para audiencës së saj të brendshme statusin e një fuqie globale.

Me fjalë të tjera, “diplomacia e maskave” dhe njollosja e demokracisë perëndimore duhen bashkërenduar me synimet e Kinës si në skenën e brendshme, ashtu edhe atë të jashtme.

Sidoqoftë, ani pse është kjo një strategji afatgjate, thirrja kineze në rritje, jo vetëm si një partnere e besueshme ekonomike, por ç’është më e rëndësishmja edhe si një model alternativ i qeverisjes që korr sukses aty ku demokracia dështon, është alarmuese.

Kina duket se po e shkakton një çarje midis shteteve të Evropës. Dhe akoma më keq se kaq, po i sfidon vetë idealet e demokracisë. Lidhja mund të jetë e fabrikuar dhe dëshmitë të aludojnë për konstatime të ndryshme, por autoritarizmi dhe Kina vazhdojnë të jenë joshëse, sidomos në rastet e dëshpërimit, si ky që solli së fundmi COVID-19.

Sado shqetësuese që mund të jetë, duket se Kina po e fiton betejën për pronësinë e narracionit të pandemisë. Evropa ka nevojë që të bashkohet për ta luftuar virusin.

Ani pse vendet evropiane janë mësuar përherë e më shumë që të mbështeten në SHBA-në, Amerika gjithnjë e më e kthyer kah vetja nuk duket se do të jetë një burim i stabilitetit kësaj radhe. Në ndërkohë, derisa të çarat veç po shihen në marrëdhënien e Evropës me fqinjësi dhe madje midis vendeve të BE-së, Kina veç është gati që ta përdorë të çarën mes tyre dhe ta thellojë atë edhe më tepër.

Pra, sado e domosdoshme të jetë fitorja e betejës ndaj COVID-19, po aq e rëndësishme për Evropën liberale është që ta fitojë betejën mbi narracionin e saj.

(Iakovos Tsalikoglou është asistent i hulumtimeve, ndërsa Panagiotis Paschaldis është partner i hulumtimeve në Programin për Evropën Juglindore ELIAMEP. Ky program ka monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet e lidhura me COVID-19 në akëcilin shtet të rajonit të Ballkanit. Projekti korrespondues “Balkans COVID-19: Mapping and Response Analyslis” (https://www.eliamep.gr/en/topics/southeast-europe-programme/), është lansuar në prill të 2020-s dhe ka krijuar një hartë interaktive që përditësohet në bazë ditore me disa të dhëna cilësore dhe sasiore. Ky vështrim është pjesë e serisë së analizave që synojnë zgjerimin e spektrit të studimit për të ndikuar në këtë situatë urgjente në rajon)