Policia e Kosovës ka thënë se alarmi i rremë për bombë në Kuvendin e Kosovës të shtunën dyshohet se ka ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia.
Të shtunën në mëngjes përpjekja e 42-të e Kuvendit për konstituim u shty pas alarmit për bombë. Objekti u evakuua e pas disa orësh u konstatua se bëhet fjalë për alarm të rremë.
E pas hetimeve fillestare, Policia ka thënë se dyshimet janë që alarmi erdhi nga një numër prej Serbisë.
“Lidhur me rastin e kërcënimit me mjet shpërthyes, të ndodhur sot në orët e paraditës në objektin shtetëror të RKS-së, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, ka vazhduar hetimet intensive, me qëllim të ndriçimit dhe zbulimit të kërcënimit. Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se kërcënimet kanë ardhur përmes një numri të telefonit i cili dyshohet se është nga Serbia”, thuhet në njoftim.
Policia ka thënë se do t’i vazhdojë hetimet e do të marrë masa, përfshirë edhe komunikimet me partnerë ndërkombëtarë të sigurisë, për të lokalizuar mjetet, rrjetet e komunikimit që janë përdoruar në këtë kërcënim.
Gjatë ditës, pas kontrollit tri orë e gjysmë, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, shpalosi hollësi për operacionin. Bëri të ditur se kërcënimi me bombë u bë nëpërmjet një thirrjeje telefonike nga një person me zë mashkulli, që, siç tha, theksin e gjuhës angleze e pati si të personave nga vendet jomike të Kosovës.
“Ka rezultuar që kërcënimi ka qenë i rrejshëm dhe deri më tani nuk ka diçka që ia vlen të ceket sa u përket rezultateve nga vendi i ngjarjes. Patjetër se hetimet do të vazhdojnë sa i përket prejardhjes së kërcënimit apo më mirë të thuhet thirrjes telefonike të bërë nga një person anonim i cili ka qenë me zë mashkulli, në gjuhën angleze me një aksent që ne mendojmë se për momentin është me një aksent të shteteve jomike”, theksoi prokurori Gashi.
Edhe
Alarmi i rremë për bombë jep shkëndija për zhbllokim të Kuvendit
Për këtë telefonatë, Gashi tha se janë angazhuar edhe ekipet e krimit kibernetik dhe se hetimet do të vazhdojnë.
E, seanca që u ndërpre nga alarmi i rremë, u mbajt në mbrëmje. Rezultati politik mbeti sërish i njëjti – dështim. Deputetët nuk e zgjodhën as këtë herë kryeparlamentarin.