Peshëngritësi që përfaqëson Kosovën, Kianoush Rostami, ka arritur rezultat të mirë në Botërorin që po mbahet në Forde të Norvegjisë.
Fituesi i medaljes olimpike në vitin 2016, të enjten mbrëma u rendit i pesti me 377 kilogramë të ngritura në total.
Ai është nga Irani, kurse prej këtij Botërori e përfaqëson Kosovën.
Rostami garoi në kategorinë deri në 94 kilogramë. Ai i ngriti 172 kilogramë në stilin e shkëputjes dhe 205 në shtytje.
Vendin e parë në Botërorin në Norvegji e zuri Karlos Nasar që përfaqëson Bullgarinë. Ai arriti peshën e 395 kilogramëve. 21-vjeçari vendosi rekord botëror në shtytje me 222 kilogramë, ndërsa e fitoi Botërorin për herën e tretë.
Vendi i dytë dhe medalja e argjendtë i takoi iranianit Alireza Moeini me 391 kilogramë. Ai vendosi rekord botëror me 182 kilogramë në shkëputje.
Në vendin e tretë u rendit kolumbiani Jokser Albornoz me 390 kilogramë në total. Ali Alipour i Iranit ishte i katërti me totalin e 387 kilogramëve, dhjetë më shumë se Rostami i Kosovës.
Rostami në shkëputje të suksesshëm e pati vetëm tentimin e dytë me 172 kilogramë. Në tentimin e parë, Rostami dështoi në 172 kilogramë, peshë të cilën e përmirësoi më pas.Në tentimin e tretë provoi me 177 kilogramë, por nuk ishte i suksesshëm.
Rostami ishte i shtati në disiplinën e shtytjes. Rezultatin më të mirë e pati me 205 kilogramë, të arritur në tentimin e parë. Ai dështoi në tentimin e dytë me 216 kilogramë dhe në të tretin me 217 kilogramë.
Rostami është medalist i artë olimpik nga Rio 2016.
Ai ka medalje të argjendtë edhe në Lojërat Olimpike “Londra 2012”, ndërsa është edhe fitues i dy të artave e një medaleje të argjendtë në Kampionate Botërore.
34-vjeçari është peshëngritës i dalluar, në sportin që është fare pak i zhvilluar në Kosovë.