Përfaqësuesja e Zvicrës ka ftuar katër futbollistë shqiptarë për ndeshjet kualifikuese të shtatorit në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Selektori zviceran, Murat Yakin, të mërkurën ka publikuar listën prej 24 lojtarëve për duelet me Kosovën dhe Andorrën. Në listën e tij, ai ka përfshirë katër shqiptarë. Kapiteni Granit Xhaka, zëvendëskapiteni Xherdan Shaqiri, si dhe Ardon Jashari e Uran Bislimi do të jenë pjesë e grumbullimit të Zvicrës.
“Helvetikët” të hënën nisin grumbullimin, ndërsa ndeshjen e parë kualifikuese të muajit shtator, do ta luajnë kundër Kosovës. Më 9 shtator, do të përballen me “Dardanët” në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, i cili pritet të jetë i stërmbushur. Tri ditë pas këtij dueli, Zvicra në Sion do të luajë kundër Përfaqësueses së Andorrës. Trajneri i Zvicrës, Yakin në konferencën për shtyp, kanë insistuar se të gjithë lojtarët në listën e tij, kanë merituar ftesën. Sa u pëket ndeshjeve të shtatorit, Yakin ka kërkuar nga ekipi i tij që të jetë maksimalisht i fokusuar. Ka pranuar se synimi është të marrë pikët e plota në këto dy përballje.
“Ndeshjet e muajit shtator janë shumë të veçanta dhe ne duhet të jemi 100 për qind të fokusuar, në mënyrë që të bëjmë edhe një hap para drejt arritjes së synimit tonë, që është pjesëmarrja në Evropianin e vitit të ardhshëm që mbahet në Gjermani”, është shprehur Yakin. “Duhet të përgatitemi mirë dhe të jemi në nivel të lartë deri në sekondën e fundit. Ai për ndeshjen me Kosovën ashtu edhe Andorrën”.
Këto ndeshje i takojnë Grupit I kualifikues, të cilit i prinë Zvicra me 10 pikë të mbledhura pas katër ndeshjeve të zhvilluara. Në vendin e dytë, është Rumania me tetë pikë, një më shumë se Izraeli që renditet i katërti. Përfaqësuesja e Bjellorusisë ka tri pikë, sa i ka edhe Kosova, me të cilën ndajnë pozitat 4 dhe 5. Ndërsa, Andorra është e fundit në grup me vetëm një pikë të tubuar. Ndeshjen me Kosovën, Yakin e ka vlerësuar si tejet të vështirë edhe pse ka pranuar se synimi është të marrin pikët e plota në Prishtinë. “Dardanët” i ka vlerësuar lart dhe ka thënë se janë prej kundërshtarëve më të fortë në grup. Po ashtu, nuk ka harruar të përmend edhe faktin se është duel i veçantë për shkak të lidhjes së lojtarëve me Kosovën.
"Kosova është një ekip i fortë dhe një nga ekipet më të forta në grupin tonë pavarësisht pozicionit të tyre aktual në renditje. Është gjithashtu një përballje e veçantë, sepse shumë nga lojtarët e tyre kanë lidhje me Zvicrën dhe anasjelltas”, është shprehur Yakin.
Yakin ka insistuar se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë me ndonjërin prej futbollistëve shqiptar që i ka ftuar në listë për duelin kundër Kosovës. Ai e ka parasysh prejardhjen e tyre, por thotë se nuk ka marrë e as nuk do të marrë masa për ta. Xhaka e Shaqiri pritet të jenë liderë të Zvicrës kundër Kosovës.
“Nuk ka masa të veçanta. Mund ta imagjinoj se do të na mirëpresin ngrohtësisht. Kemi luajtur kundër njëri-tjetrit në Zuerich dhe ishte si një lojë mes miqsh”, ka thënë Yakin.
Edhe
Gjashtë shqiptarë te Zvicra, sa prej tyre do të jenë në Evropian
Për dallim prej Zvicrës që i ka tri fitore në këto kualifikime deri më tani, Kosova ende është në kërkim të fitores së parë. Në katër ndeshje të zhvilluara deri më tani, Kosova ka regjistruar tri barazime dhe një humbje. Është mposhtur 3:1 në duelin e fundit kundër Bjellorusisë, ndërsa ka barazuar me Rumaninë, Andorrën dhe Izraelin. Me Izraelin e Andorrën ka luajtur 1:1, ndërsa me Rumaninë pa gola. Në krye të Kosovë kundër Zvicrës, pritet të debutojë selektori i ri, slloveni Primozh Gliha. Gliha në këtë post ka zëvendësuar francezin Alain Giresse që u largua pas humbjes befasuese nga Bjellorusia. Kosova grumbullimin për duelet e shtatorit, pritet ta nisë të hënën, ndërsa listën e lojtarëve të ftuar, Gliha do ta publikojë këtë javë. Krahas Zvicrës, “Dardanët” në shtator do ta zhvillojnë edhe një ndeshje në kuadër të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm. Më 12 shtator, do të luajnë në Bukuresht kundër përfaqësueses së Rumanisë.
Zvicra i prinë Grupit I kualifikues me 10 pikë të mbledhura pas katër ndeshjeve të luajtura, duke e lënë pas vetes Rumaninë me 8 pikë e Izraelin 7.
Bjellorusia zë vendin e katërt me 3 pikë, sa i ka edhe Kosova që renditet e pesta. Ndërkohë, Andorra është e fundit në grup me vetëm një pikë të tubuar.