Futboll

Zvicra synon të sigurojë Botërorin para udhëtimit në Kosovë

Zvicra

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, shpreson që çështja e kualifikimit në Kampionatin Botëror 2026 të përfaqësueses së tij të zgjidhet që në ndeshjen me Suedinë. Zvicra e pret Suedinë më 15 nëntor dhe me fitore kualifikohet në Botëror, pavarësisht rezultatit në ndeshjen tjetër të grupit, Slloveni – Kosovë. Me një skenar të tillë, ndeshja e 18 nëntorit në “Fadil Vokrri” mes Kosovës dhe Zvicrës mund të jetë e rëndësishme vetëm për “Dardanët”. Ka edhe skenarë që ndeshjen në Prishtinë e bëjnë “finale” për vendin e parë në grup.

Për një finale të tillë është pyetur Yakini të mërkurën në konferencë për shtyp, pasi shpalli listën e futbollistëve të ftuar.

“Ne i marrim ndeshjet një nga një dhe do të mundohemi të përfundojmë çështjen e kualifikimit në ndeshjen ndaj Suedisë. Nuk mund të ndikojmë ende në asgjë”, ka thënë Yakin në konferencë për shtyp.

Zvicra ka tri fitore e një barazim në Grupin B. Nuk ka pranuar ende gol. Por ka vetëm tri pikë më shumë se Kosova, që kërkon suksesin historik – kualifikimin në Botëror apo vendin në plejofin kualifikues për Botëror.

“Suedia ka trajner të ri dhe mund të luajë pa presion. Por ne fokusohemi te vetja. Kjo qasje gjithnjë ka funksionuar për ne”, ka theksuar Yakin.

Ai ka ftuar Granit Xhakën, Andi Zeqirin dhe Adrian Bajramin. Ardon Jashari duhet të pres grumbullim tjetër për të luajtur për Zvicrën.

“Ardoni është kthyer së fundi dhe ende nuk është gati 100 për qind. Për këtë arsye e kemi planifikuar këtë grumbullim pa të. Për këtë jemi marrë vesh edhe me lojtarin”, ka thënë Yakin për mesfushorin e Milanit. Ai mungoi dy muaj për shkak të një lëndimi të rëndë.

Yakini nuk ka bërë ndryshime të shumta në përbërje. Mungon lojtari i rëndësishëm Remo Freuler ndërsa janë ftuar vetëm dy emra të rinj.

“Kemi një ekip të konsoliduar shumë mirë. Të gjithë e dinë rolin dhe përgjegjësinë që kanë brenda dhe jashtë fushës. Për këtë llogaris në këtë grup dhe jam mirënjohës që nuk kam pasur nevojë të bëjë ndryshime të mëdha në skuadër”.

Zvicra ka kohë që nuk mungon në ngjarje të mëdha. Është në rrugë të mirë që të kualifikohet edhe në Botërorin 2026 që mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.

Lexo përditësimet tjera
Granit Xhaka

Xhaka udhëheq Zvicrën në Prishtinë

Granit Xhaka pritet ta udhëheqë përfaqësuesen e Zvicrës në ndeshjen e 18 nëntorit ndaj Kosovës në...