Granit Xhaka doli nga autobusi që solli lojtarët e Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri”, vetëm pasi e përfundoi një lojë në telefon. Por lojën e vërtetë Xhaka dhe lojtarët e tjerë të Zvicrës e kanë të martën mbrëma. Zvicra do të përballet me Kosovën në ndeshjen mbyllëse të kampanjës së suksesshme kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
Në ndeshjen që fillon në orën 20:45, selektori i Zvicrës, Murat Yakin, pret seriozitet maksimal nga Xhaka dhe lojtarët e tjerë. Ai ka mohuar mundësinë që ndeshja të jetë “duel vëllazëror”.
“E kemi lënë aspektin emocional prapa vetes. Nuk ka duel vëllazëror nesër. Duhet të fillojmë furishëm. Kosova kaloi herët në epërsi ndaj Suedisë dhe Sllovenisë. Ne duam të luajmë lojën tonë dhe të provojmë të shënojmë gola në sulm”, ka thënë Yakin të hënën në konferencë për shtyp, që u mbajt po në “Fadil Vokrri”.
Zvicra kualifikohet direkt në Botëror edhe me humbje 5:0 nga Kosova. Por Yakin nuk e mendon një skenar të tillë. Kosova tashmë e ka të garantuar plejofin. Për avancim direkt në Botëror, Kosovës i duhet fitorja thuajse e paarritshme prej 6:0.
“Çdo gjë është e mundur në futboll. Është në dorën tonë të vendosim. Dua që ekipi të jetë i fokusuar, dua të luajmë lojën tonë. Nuk po mendojmë për skenarët më të këqij. Ekipi ka mjaftueshëm kualitet. Duhet të luajmë lojën tonë dhe më pas jam i bindur se do të kemi rezultat të mirë”.
Yakini vlerëson Kosovën.
“Mund të spekulohet shumë paraprakisht. Por duhet të shfaqesh në fushë. Të dy ekipet kishin kampanjë të shkëlqyer. Nesër nuk do të mendojmë vetëm për t’u mbrojtur. Natyrisht, kundërshtari do të provojë çdo gjë, por mendoj se jemi mjaftueshëm solid. Ne e kemi merituar këtë pozitë – ekipi im di vetëm një drejtim”, ka thënë Yakin.
Zvicra e kishte mposhtur 4:0 Kosovën në ndeshjen e parë në Basel. Por Yakin ka parë progres të madh te Kosova që nga ajo kohë.
“Jemi të lumtur që kemi shënuar katër gola ndaj Kosovës. Por më pas ajo e ndryshoi sistemin shumë. Kosova është e dyta në tabelë dhe mund të luajë pa asnjë presion. Nuk ka çka të humbë. Kam ekip që dëshiron të shënojë gola dhe të luajë lojë dominuese”.
Ai ka thënë se nuk ka nevojë të bëjë shumë ndryshime në formacion. Ka shtuar se Kosova duhet t’i përshtatet mënyrës së lojës së Zvicrës. Yakini ndihet me fat që e ka bankën e rezervistëve të fortë.
Yakin është pyetur për raportet me Granit Xhakën. Kishte përplasje mes tij dhe kapitenit pas ndeshjes së kaluar në Prishtinë.
“Nuk ka ndryshuar shumë që nga ndeshja me Kosovën dy vjet më parë. Gjithçka u ekzagjerua shumë. E kemi përballuar dhe kemi bërë këtë rrugë së bashku. Ai është lider. Sigurisht u zhgënjyem me rezultatin dhe me pësimin e golit në minutën e fundit. Por nuk ishte aq dramatike sa e paraqitët. E përballuam mirë së bashku”.
Portieri i Zvicrës, Gregor Kobel është pyetur për Fisnik Asllanin në konferencën për shtyp.
“Natyrisht analizimi i lojtarëve është gjithnjë pjesë e përgatitjeve. E kam parë që është në formë të mirë. Si portier, forma nuk është gjëja kryesore. Dua të identifikoj mënyrën e lojës. Natyrisht, shikon për një ose dy lojtarë. Por kryesisht është analizë e gjithë ekipit”.
Selektori i Zvicrës foli edhe një herë për Xhakën. Atë e vlerësoj lider e luftëtar. E përmendi edhe Xherdan Shaqirin, duke theksuar se Zvicra tashmë ka disa lojtarë në pozitën e tij.
Te Zvicra janë edhe Adrian Bajrami dhe Andi Zeqiri.