Te Zvicra e dinë që Kosova do të ketë përkrahje të madhe në “St. Jakob-Park” në Basel, të premten mbrëma. Zvicra e Kosova takohen nga ora 20:45, në hapje të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, megjithatë ka thënë se ndeshjet në shtëpi janë për t’u fituar, ndërsa ka përjashtuar mundësinë që sfida me Kosovën të jetë “vëllazërore”.
Kosova e Zvicra janë përballur tri herë deri më tani. Dhe të tri ndeshjet kanë përfunduar baras. Ka pasur momente kur është dyshuar nëse shqiptarët e Zvicrës, përkatësisht Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kanë dhënë më të mirën.
“E dimë çka të presim. Skuadrat janë zhvilluar. E kemi parë këtë në ndeshjet që kemi luajtur. E shohim këtë si duel kualifikues. Gjithmonë flitej për një duel vëllazëror miqësor. Kjo nuk do të jetë më çështje të premten”, ka thënë Yakin në konferencë për shtyp, të enjten.
Ai është i kënaqur me përgatitjet që kanë bërë helvetikët për kualifikimet e Botërorit. Zvicra menjëherë të hënën luan me Slloveninë, ndërkohë që Kosova e pret Suedinë.
“Ndeshjet e kaluara që i kemi luajtur ishin të shkëlqyera. Atmosfera në ekip është e mirë. Por në fund të fundit ato ishin vetëm miqësore. Nesër është serioze. Të gjithë e presin kualifikimin. Do të jetë grup i vështirë”, ka thënë Yakin.
Zvicra, në bazë të ndarjes në vazo për short, është favorite e grupit. Kosova ka gjasat më të vogla për kualifikim. I pari në grup kualifikohet në Botëror, ndërsa i dyti luan në plejof.
Yakini pret që gjysma e stadiumit në Basel të jetë e mbushur me shikues që e përkrahin Kosovën. Ngjashëm ishte edhe në dy ndeshjet e kaluara që Kosova i luajti në Zvicër.
“Ndeshjet në shtëpi janë për t’i fituar. Ndeshjet ndaj Kosovës dhe Sllovenisë ofrojnë mundësi për një fillim të duhur të kualifikimeve. Java ka shkuar mirë dhe të gjithë janë të gatshëm për të luajtur”, ka thënë Yakin.
Ai është i bindur se Zvicra do të zbatojë idetë taktike në fushën e lojës.
“Ishim në gjendje të kryenim stërvitjet taktike mirë, që nuk ishte gjithnjë e mundur në Zvicër së fundi. Për këtë jam optimist se mund të luajmë ndeshjen tonë nesër”.
Granit Xhaka do ta udhëheqë si kapiten Zvicrën ndaj Kosovës. Për ta mbajtur Xhakën të qetë dhe larg pyetjeve të ndjeshme, Federata zvicerane nuk e ka paraqitur mesfushorin në asnjë konferencë për shtyp. Madje as të enjten, në konferencën e fundit para ndeshjes.