Paraqitja e xhudistes Laurina Gashi mund të vlerësohet si më e mirë deri më tani prej të gjithë sportistëve që po e përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian (EYOF) për të rinj që po mbahen në Maribor të Sllovenisë.
Të mërkurën, në ditën e katërt të kësaj ngjarjeje, u paraqitën gjashtë sportistë. Në tri ditët e para nuk ka pasur ndonjë rezultat të mirë, ndërsa të mërkurën, xhudistja Krasniqi nuk pati fat për të siguruar medalje. Gashi, përfundoi e shtatë në kategorinë deri 52 kilogramë, në të cilën u paraqit. Ajo raundin e parë e kaloi pa luftë. Në të dytën mundi estonezen, Anna Schroeder, pas vetëm disa sekondash luftë. Në çerekfinale u mund nga Marlene Schinëald. Luftën drejt medaljes së bronztë, Gashi e vazhdoi përmes repesazhit, ku fillimisht mundi rumunen, Silvia Pomana, por në luftën e radhës, u mund nga holandezja, Elise Rustige.
“Xhudistja jonë me të ardhme të ndritur, Laurina Gashi, ishte afër zonës së medaljes në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj në Maribor. Gashi përfundoi në vendin e shtatë, por me pak fat ka mundur të vijë edhe deri te medalje, në kategorinë deri 52 kilogramë”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) në Facebook. “Vendi i shtatë konsiderohet sukses për Gashin, që njëherit arrin suksesin më të madh deri më tani nga ekipi në në EYOF ‘Maribor 2023’”.
Krahas Gashit, të mërkurën u paraqit edhe xhudisti Jon Veseli që garoi në kategorinë deri 66 kilogramë.
Megjithatë, Veseli u ndal në rundin e parë, pasi u mposht nga garuesi i Rumanisë, Reinat Croitoru. E garat në EYOF gjatë ditës së katërt, i kanë vazhduar edhe atletët e notarët e Kosovës, por që nuk regjistruan ndonjë rezultat të mirë.
Edhe
Xhudisti Kuka në garë për medaljen e bronztë në EYOF
Olta Berisha garoi në 200 metra stil i lirë, ndërsa Adora Hoxha u paraqit në disiplinën 100 metra flutur. Berisha pati kohën 2 minuta e 18.61 sekonda, që e renditi në vendin 44-të, ndërsa Adora ndali kohën në 1 minutë e 11.78 sekonda, dhe përfundoi në pozitën e 25-të. Në atletikë, garuan Shkëlqim Deliu dhe Emine Jonuzi disiplinën në 200 metra. Deliu theu rekordin e tij personal, duke përfunduar garën me kohë 24.53 sekonda, që e renditi në vendin 25të, ndërsa koha e Jonuzit në konkurrencën e vajzave ishte 27.64 sekonda, duke përfunduar e 18-ta.
“Pavarësisht rezultateve, sportistët tanë po e japin maksimumin dhe konkurrenca e fortë në EYOF Maribor 2023, do t'ju shërbejë për garat e ardhshme ndërkombëtare”, ka shkruar KOK-u.