Luftarake

Fillim pozitiv i vitit për xhudon kosovare

Ekipi kosovar i xhudos - European Cup Sofje

Tri medalje të bronzta, tri vende të pesta dhe një vend i shtatë. Ky është bilanci i xhudistëve kosovarë në garën “European Open” që të shtunën e të dielën u mbajt në Sofje të Bullgarisë. Në këtë ngjarje garuan 385 xhudistë nga 39 vende të ndryshme.

Kupat Evropiane nuk janë garat e nivelit më të lartë. Por janë kampionate të rëndësishme për xhudistët që synojnë stabilizimin në nivelin e të rriturve. Dhe thuajse të gjithë xhudistët pjesëmarrës të Kosovës e synojnë këtë.

Erza Muminoviq në kategorinë deri 48 kilogramë, Fationa Kasapi në kategorinë deri 52 kilogramë dhe Flaka Loxha në kategorinë deri 57 kilogramë, fituan medalje të bronzta. Laurinë Gashi në kategorinë deri 52 kilogramë, Dardan Cena në 73 kilogramë dhe Shpati Zekaj në kategorinë 100 kilogramë u renditën të pestët. Pra i humbën luftërat për medalje bronzi. Ndërkohë Enise Zijade u rendit e shtata në kategorinë deri 57 kilogramë. Anes Veseli e kishte një fitore në kategorinë deri 90 kilogramë, njëjtë si Sidorela Dodaj në kategorinë deri 57 kilogramë.

Kosova në Sofje ishte pa adutët kryesorë, Distria Krasniqin, Laura Fazliun dhe Akil Gjakovën. 
Kryetrajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, është ndarë shumë i kënaqur me bilancin përfundimtar në kryeqendrën bullgare. Gara në Sofje ishte e para serioze e vitit në nivelin e të rriturve.

“Jam shumë i kënaqur. Është një ekip që ngadalë po vjen në shprehje, me kuptimin e plotë të fjalës. Me pak fat do të kishim edhe më shumë medalje”, ka thënë kryemjeshtri Kuka për KOHËN.
Prej medalisteve, Erza Muminoviq është kthyer në gara pas një kohe të gjatë. Ajo nuk kishte garuar për një vit të plotë. Tani do ta kërkojë suksesin, e më pas edhe normën olimpike, në kategorinë deri 48 kilogramë. Deri vjet kryesisht ka garuar në kategorinë deri 52 kilogramë, ku e pakonkurrencë është Distria Krasniqi.

Erza në Sofje i shënoi tri fitore, ndërsa e pësoi një humbje.

Edhe Fatjona Kasapi ka bërë zhvendosje në kategori, nga 57 kg në atë deri në 52 kg. Suksesi i së dielës është prej më të mëdhenjve në karrierën e deritashme të Fationës. Ajo i fitoi katër luftëra, kurse humbi në çerekfinale.

Flaka Loxha ishte bartëse e parë në kategorinë deri 57 kg në Sofje dhe prej saj është pritur medalja.

Ajo megjithatë u ndal në luftën e dytë, kurse arriti në podium me dy fitore në repesazh. Flaka ka suksese edhe më të mëdha në karrierë. 

“Emra të rinj po dalin në skenë në konkurrencën e të rriturve. Me më shumë përkushtim nga të gjithë ne, kjo gjeneratë do të performojë në gara edhe të nivelit më të lartë”, ka shtuar Driton Kuka.

Derisa Shpati Zekaj e Dardan Cena kanë tashmë suksese solide edhe në nivelin senior, Laurinë Gashi e Enise Zijade po bëhet gati ngadalë për shpërthim te të rriturat. Dhe në Sofje dhanë sinjale se janë në rrugën e duhur.

Menjëherë fundjavën e ardhshme xhudistët kosovarë paraqiten në Grand Slamin e Parisit. Është kjo gara më e famshme e xhudos. Medaljet atje do t’i kërkojnë edhe Distria, Laura e Akili.