Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Xhudoja kosovare mban nivelin superior, synohet edhe më shumë

Xhudoja kosovare

Plot 400 xhudistë nga 46 shtete të ndryshme. Dhe Kosova, si zakonisht, është në dhjetëshen e parë. 

Falë medaljes së artë të Distria Krasniqit në kategorinë deri 52 kilogramë dhe vendit të pestë të Akil Gjakovës në kategorinë deri 73 kilogramë, Kosova e ka përfunduar Kampionatin Evropian në Tbilisi të Gjeorgjisë në vendin e tetë në ranglistë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjeorgjia, Franca, Rusia, Italia, Izraeli, Holanda e Hungaria këtë herë përfunduan para Kosovës. Por prapa mbetën shumë e shumë vende me sport të zhvilluar: Azerbajxhani, Serbia, Britania e Madhe, Finlanda, Çekia, Spanja, Turqia, Gjermania ...

Kështu xhudoja kosovare e mban nivelin superior. Nxënësit e kryemjeshtrit Driton Kuka vazhdojnë të fitojnë rregullisht medalje në garat më të mëdha, në garat që vërtetë vlejnë.

Në Evropian, Kosova ka fituar medalje për vitin e 14-të rresht. Është kjo seri impresive që nuk duket se do të përfundojë shpejtë, pikërisht për shkak të punës së kryemjeshtrit Kuka dhe nivelit që kanë xhudistët kosovarë.

Distria ka disa vjet që shquhet. Dhe vazhdon formën superiore. Ajo i ka katër tituj të Evropës tashmë. Evropianin e ka fituar tri herë rresht. Po ashtu ka fituar medalje në plot 16 gara rresht.

“Niveli po mbahet, por realisht shumica e xhudistëve tanë nuk po e japin maksimumin. Dhe kjo në një mënyrë e ka përcjellë ekipin në këtë Evropian”, ka thënë të dielën për KOHËN, trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Ai është shumë i kënaqur me suksesin e arritur, por e di që numri i medaljeve ka mundur të jetë më i madh.

“Ekipi është stabil dhe po rritet edhe me emra të tjerë. Por prej xhudistëve të tjerë pritet që të dalin në nivelin më të lartë. Akili është kthyer pas një serie të lëndimeve dhe performojë mirë. I mungoi pak për të fituar medalje. Laura, Erza, Dardani e Fatjona munden shumë më tepër. Jam i bindur dhe besoj shumë që edhe Flaka Loxha e Shpati Zekaj do të jenë në rrugëtimin e vështirë drejt Lojërave Olimpike ‘Los Angeles 2028’”, ka shtuar Kuka.

Dardan Cena e Fatjona Kasapi e shënuan nga një fitore në Evropianin në Tbilisi, ndërsa Laura Fazliu e Erza Muminoviq u ndalën në luftërat e para. 

“Ka gjëra që duhet të përmirësojë secili prej tyre. Por realisht ky ekip ka pasur potencial për më shumë. Kjo natyrisht duhet të shërbejë si motivim për punë edhe më të madhe, që në garat tjera niveli i vërtetë të dal në pah”.

Kryemjeshtri Kuka tregon që konkurrenca në këtë Evropian ishte shumë e fortë. Veçon faktin që Franca e Rusia u përfaqësuan me xhudistët më të mirë të mundshëm dhe me ekipe të kompletuara.

Kuka arriti synimin që kishte për pjesën e parë të vitit. Ngadalë, tani fokusi kthehet te Kampionati Botëror që mbahet në fillim të tetorit në Baku të Azerbajxhanit.