Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Luftarake

Distria në Tbilisi për titullin e katërt të Evropës

distria

Kampione në fuqi dhe bartëse e parë. 

Distria Krasniqi garon të enjten në Tbilisi të Gjeorgjisë, në ditën e parë të Kampionatit Evropian të xhudos për vitin 2026. Distria është favorite e madhe e kategorisë deri 52 kilogramë, kategori në të cilën Kosova ka dominuar për mbi një dekadë.

Distria në fakt është xhudistja më e ranguar që paraqitet në Evropian. Është njëra prej kampioneve olimpike në këtë ngjarje dhe njëra prej më të dekoruarave po ashtu. 

Sa u takon kampionateve kontinentale, ajo ka të arta në vitin 2021, 2024 e 2025. Të argjendta ka fituar në vitet 2018 e 2023 dhe të bronzta në vitet 2020 e 2022. 

Në kategorinë deri 52 kilogramë janë 24 xhudiste. Hungarezet Reka Pupp e Roza Gyertyas, italiania Odette Giuffrida dhe francezja Amandine Buchard vlerësohen rivalet e Distrisë në garë për të artën.

Edhe Distria Krasniqi: Medaljet më motivojnë të vazhdoj Luftarake 3 muaj më parë Distria Krasniqi: Medaljet më motivojnë të vazhdoj

Por kampionia dhe nënkampionia olimpike nga Peja është favorite e madhe.

Ajo ka medalje në 15 garat e fundit. Në shumicën prej tyre është paraqitur në finale. Në fakt do të jetë befasi shumë e madhe nëse Distria nuk do të jetë në podium të enjten pasdite në kryeqendrën gjeorgjiane. Ajo është njëra prej sportisteve me formën më konstante, jo vetëm në xhudo.

Në ditën e parë të Evropianit garojnë edhe xhudistet e kategorisë deri 48 kilogramë dhe xhudistët e kategorisë deri në 60 kilogramë dhe ata të kategorisë deri 66 kilogramë.

Erza Muminoviq e përfaqëson Kosovën në kategorinë deri 48 kilogramë. Erza, e kthyer në gara pas një shkëputjeje, nuk është në mesin e bartëseve. Por ka dhënë shenja në disa gara se është në rrugë të mirë. Nëse bënë vend në tetëshen më të mirë, do të ishte sukses i madh për 23-vjeçaren.

Në kategorinë deri 52 kilogramë garon edhe Fatjona Kasapi. Edhe Fatjona ka pasur shkëputje të gjatë nga garat për shkak të një lëndimi. Nuk është bartëse, por vendi i shtatë në Grand Slamin e Parisit dha sinjale se 24-vjeçarja po shkon në drejtimin e duhur.

Edhe Distria, kampione e Evropës për herë të katërt Luftarake 3 muaj më parë Distria, kampione e Evropës për herë të katërt

Të premten garojnë Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë si dhe Akil Gjakova e Dardan Cena në kategorinë deri 73 kilogramë. 

Laura është bartësja e katërt në kategori dhe pretendente për medalje. Joanne van Lieshout e Holandës, Iva Oberan e Kroacisë dhe Manon Deketer e Francës janë më lartë në renditje se Laura.

Në kategorinë deri 73 kilogramë konkurrenca vlerësohet më e forta e mundshme. Si në asnjë kategori tjetër, janë plot 41 xhudistë.

Akili është bartësi i pestë dhe do të jetë në konkurrencë të fortë me francezin Joan Benjamin Gaba, Hidayet Heydarovin e Azerbajxhanit, Leonardo Valerianin e Italisë, Lasha Shavdatuashvilin e Gjeorgjisë dhe xhudistë të tjerë. 

Në Kampionatin e 75-të Evropian, garojnë 402 xhudistë nga 46 vende të ndryshme.
 

Edhe Xhudoja kosovare mban nivelin superior, synohet edhe më shumë Luftarake 2 muaj më parë Xhudoja kosovare mban nivelin superior, synohet edhe më shumë