Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Në EYOF tjetër ditë e Kosovës me vetëm “përvojë të fituar”

Sportistët e rinj të Kosovës kanë vazhduar të enjten me paraqitje në Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj (EYOF).

Në Maribor të Sllovenisë, sportistët e Kosovës sërish ishin larg paraqitjeve që premtojnë suksese. Është garuar në atletikë, xhudo, çiklizëm e not.

Në atletikë, Gerta Gashi u paraqit në kualifikimet në vrapimin në 800 metra. Me kohë prej 2:36.47 minuta, Gashi ishte e 18-ta, përkatësisht e fundit në kualifikime. 2:22.97 minuta ishte koha e një atleteje sllovene, që u rendit e parafundit.

Në xhudo, Art Thaçi garoi në kategorinë deri 81 kilogramë. U ndal në luftën e parë.

Visar Nuhaj e kishte garën e dytë në çiklizëm rrugor. Me kohë prej 1:52.24 orë, Nuhaj ishte i 84-ti. Prapa la tre çiklistë që përfunduan shtegun. Pesë të tjerë nuk e përfunduan shtegun. Max Hinds i Britanisë së Madhe fitoi me kohë prej 1:32.50 orë.

Të enjten gara të tjera kishin notarët, por rezultatet ishin larg prej atyre që sigurojnë avancimin tutje.

Në 4x100 metra miks, ekipi i Kosovës është renditur i 27-ti, përkatësisht i fundit. Dallimi me ekipin e parafundit ishte rreth 20 sekonda. Kosova kishte kohë prej 4:42 minuta, ndërsa koha e Letonisë ishte 4:21 minuta.

Edhe Xhudistja Gashi me rezultatin më të mirë në EYOF, përfundoi e shtata Sport Xhudistja Gashi me rezultatin më të mirë në EYOF, përfundoi e shtata

Edhe në individuale plasmani i notarëve ishte në pozitat kah fundi.

Kosova nuk ka fituar ende medalje në ngjarjen për sportistët prej 14 deri në 18 vjet. Më së afërti ishte xhudistja Laurina Gashi, që të mërkurën u rendit e shtata. Në sportet tjera garuesit e Kosovës kryesisht kanë garuar për të shmangur vendet e fundit.

Edhe e enjtja ka shërbyer “për të fituar përvojë ndërkombëtare” për garat që i presin sportistët kosovarë. Në EYOF konkurrenca vlerësohet e fortë, por po ashtu niveli i sportistëve kosovarë vlerësohet jo ai që synohet.