Gjashtë sportistë të Kosovës kanë garuar të martën, në ditën e tretë të Festivalit Olimpik Evropian Veror për të Rinj (EYOF) që po mbahet në Maribor të Sllovenisë. Si të dielën e të hënën, sportistët e rinj kosovarë nuk kanë lënë ndonjë gjurmë sa i takon rezultateve.
Notarët Arion Budima e Butrint Hashani garuan në kualifikime në 100 metra stil të lirë. Ishin në grupin e parë kualifikues. Budima kishte kohë prej 57.42 sekonda, ndërsa Hashani prej 59.37 sekonda. Prej 48 pjesëmarrësve në kualifikime, Budima ishte i 45-ti. Prapa tij ishte një notar nga Andorra, ndërsa Hashani u rendit i 47-ti. Prapa Hashanit mbeti vetëm Lorenzo Banti i Monakos. Më i miri në kualifikime kishte kohë prej 50.34 sekonda.
Koha e notarëve të Kosovës ishte larg prej asaj që siguronte kalimin tutje.
Notarja Olta Berisha u paraqit në 400 metra stil të lirë. Me kohë prej 4:51.85 minuta, Olta ishte e 38-ta në kualifikime, përkatësisht e parafundit. Prapa saj ishte një portugeze. 4:17.45 minuta ishte koha më e mirë në kualifikime.
Në xhudo, Uvejs Nesimi u ndal në luftën e parë në kategorinë deri 50 kilogramë. Pësoi nga rumuni Mario Rate. Pengesën e parë nuk e kaloi as Andi Reshitaj. Në kategorinë deri 55 kg, Reshitaj humbi nga holandezi Luca Richardson.
Në çiklizëm në rrugë garoi Visar Nuhaj. Ai u rendit i 89-ti, përkatësisht i fundit prej atyre që përfunduan garën. Garën nuk e përfundoi një holandez.
Nuhaj kishte kohë prej 16.12 minuta. I parafundit kishte kohë prej 15.58 minuta. 12.52 minuta ishte koha fituese. Çiklisti kosovar mbeti prapa kampionit për 3.19 minuta.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka shkruar se gara e çiklizmit është zhvilluar në “kushte të jashtëzakonshme atmosferike për shkak të reshjeve të mëdha të shiut”.
EYOF-i mbledh sportistë cilësorë nga e gjithë Evropa, të moshës prej 14 deri në 18 vjet. Paraqitja e garuesve të Kosovës në tri ditët e para ishte shumë larg prej asaj të kërkuar për të hyrë seriozisht në garë.