Po të mos ishte xhudoja, Kosova do t’i bashkohej grupit të vogël të vendeve “të vogla” pa medalje të fituar në Festivalin Olimpik Veror Evropian për të Rinj (EYOF).
Kjo ngjarje u zhvillua në Shkup, ndërsa përfundoi të shtunën mbrëma. Vlerësohet ngjarja kryesore evropiane e vitit për sportistët e rinj, përkatësisht për ata prej moshës 14 deri në 18-vjeçare.
Kosova e fitoi një medalje bronzi në EYOF-in në Shkup, që i siguron vendin e 39-të në renditjen e përgjithshme. Këtë vend e ndanë me Armeninë, që po ashtu e ka një medalje të bronztë. Në vendin e 38-të është Danimarka me një medalje të argjendtë e pesë të bronzta.
Në Festivalin Evropian janë ndarë shumë e shumë medalje. Bindshëm më e suksesshmja është Italia me 19 medalje të arta, 19 të argjendta e 12 të bronzta. Pra italianët e rinj i kanë fituar plot 50 medalje. Pason Franca me 15 medalje të arta, 18 të argjendta e pesë të bronzta. Pas saj janë Spanja, Turqia, Britania e Madhe, Polonia e Hungaria. Të gjitha këto vende kanë nga dhjetë medalje të arit e shumë medalje tjera.
35 vende e kanë nga të paktën një medalje të artë.
Pa medalje kanë mbetur vetëm nëntë shtete evropiane. Në mesin e tyre janë Shqipëria, nikoqirja Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Është xhudistja Enise Zijade që “shpëtoi” Kosovën. Ajo fitoi të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë.
Për xhudon kosovare është medalja e parë në EYOF. Por xhudoja ka shpëtuar sportin kosovar në tri edicione të Lojërave Olimpike, dy edicione të Lojërave Evropiane, në Lojërat Olimpike për të Rinj, në Lojërat Mesdhetare. Prej të gjitha ngjarjeve shumësportëshe ku mori pjesë, Kosova i ka vetëm dy medalje në sportet tjera. Atleti Muhamet Ramadani e fitoi të artën në hedhje të gjyles në EYOF 2019 në Baku, ndërsa Shpëtim Bajoku fitoi të bronztë në boks në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.
Xhudoja i ka plot 20 tani në ngjarjet shumësportëshe.
Sa u takon Festivaleve Olimpike Evropiane, Kosova mori pjesë për herë të gjashtë. Në Shkup dërgoi bindshëm numrin më të madh të sportistëve deri më tani – plot 30. Ndonëse u fitua medalja në xhudo, kjo ngjarje vlerësohet se duhet të shërbejë si paralajmërim për të gjitha federatat dhe klubet sportive, pos atij të xhudos Ippon nga Peja. Paralajmërim që puna duhet të jetë dukshëm më e madhe, përkushtimi i sportistëve e trajnerëve dukshëm më i madh dhe angazhimi i drejtuesve të klubeve e federatave sportive po ashtu dukshëm më i madh. EYOF-i shfaq trendet e së ardhmes në sportin evropian, ndërsa pos në xhudo, Kosova nuk dha sinjale se po i përcjell ato. Të paktën rezultatet e dëshmojnë këtë.
Në asnjë sport tjetër, Kosova nuk i është afruar medaljes. Në sporte ku ka përballje, kosovarët e rinj kryesisht janë ndalur në sfidat e para. Në të tjerat kishin kryesisht vende kah fundi i renditjes.
Rezultati më i mirë në sportet tjera ishte i atletes Erisë Avdullahu, që u rendit e nënta në vrapim 800 metra. Në këtë disiplinë ishin 15 pjesëmarrëse, ndërsa Avdullahu për pak mbeti jashtë finales. Në finale u kualifikuan tetë më të mirat.
“Veçohet edhe vendi i nëntë me atleten Erisë Avdullahu, e cila për pak nuk hyri në finale të 800 metrave. Kosova në EYOF Shkupi 2025 u paraqit me 30 sportistë të nëntë sporteve të ndryshme”, ka shkruar Komiteti Olimpik i Kosovës.
Falë medaljes së fituar, por edhe për të arsyetuar investimet në sportin kosovar, ngjarja pritet të vlerësohet e suksesshme për Kosovën. E suksesshme edhe mund të jetë. Por në të njëjtën kohë edhe paralajmëruese për të gjithë ata që merren me sporte individuale në vend.