Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka problem të bashkëqeverisë me PDK-në. Sipas tij, Kurti ka hatërmbetje me PDK-në për të kaluarën.
Haliti ka thënë tutje se PDK-ja nuk bëhet patericë e LVV-së.
“Nuk e di a kanë biseduar për koalicion dhe nuk besoj se Albini ka thënë ‘jo se nuk e duam koalicionin me ju’. Por e di që Albini ka hatërmbetje të madhe ndaj PDK-së për të kaluarën, për kohën e luftës, ka pasur disa probleme me ish-kryetarin e PDK-së. Ka këtë qëndrim të fortë kundër PDK-së. Nuk besoj që ka diçka që e pengon atë, por ai e di që me hy me PDK-në e ka problem me qeverisë. Është e vështirë sepse PDK-ja është parti e madhe që ka qeverisur për sa vjet dhe nuk bëhet patericë e Albinit”, ka thënë ai në Interaktiv.
Haliti: Kurti është i lirë të veprojë në çdo fushë sepse nuk ka opozitarizëm
Xhavit Haliti, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, arriti ta bindë votuesin dhe t’i fitojë zgjedhjet duke e akuzuar PDK-në se e ka vjedhur shtetin.
Në emisionin “Interaktiv” në KTV, Haliti megjithatë thekson se Kurti nuk ka betejë me opozitën dhe se është i lirë të veprojë në çdo fushë duke potencuar se nuk ka opozitarizëm.
“Ajo që ka qenë e imponuar dhe që kanë arritur ta bindin votuesin e vet ka qenë kjo: hajna, hajna, të korruptuar, gjithçka na kanë thënë. Por kanë fituar. E kanë votuar gjenerata e re, e kanë votuar edhe gjenerata e vjetër pavarësisht që thonë jo. Por, tani edhe pse ky e ka këtë situatë si qeveri me sanksionet që i ka BE-ja ndaj nesh, unë nuk e shoh ndonjë betejë lidhur me këtë situatë që e kemi.
Prandaj po them që në të gjitha fushat është i lirë të veprojë sepse nuk ka opozitarizëm”, deklaroi Haliti.
Tutje, sipas Halitit, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë qenë tabelë qitjeje siç tha – e pamëshirshme e Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk e mohon se ka pasur korrupsion në të kaluarën.
“PDK-ja dhe LDK-ja kanë pasë të meta në mënyrën se si kanë qeverisë. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë qenë tabelë qitjeje e pamëshirshme e LVV-së dhe kanë qenë tabelë qitjeje edhe e disa mekanizmave ndërkombëtarë duke i përfshirë ato analizat e korrupsionit. Ka pasë korrupsion dhe ka. Ka korrupsion kudo në botë. Te ne që jemi të papërgjegjshëm ndonjëherë dhe këto gjykatat që nuk funksionojnë siç duhet atëherë duhet mediat të merren dhe ato analizat siç i bëjnë të huajt”, deklaroi Haliti.