Gjithsej 32 sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian për të Rinj që prej 20 deri më 26 korrik mbahet në Shkup.
Këtë e bëri të ditur të martën Komiteti Olimpik i Kosovës.
Festivali është garë e nivelit të lartë për sportistët e grupmoshës prej 14 deri në 18 vjet. Madje vlerësohet gara kryesore e vitit për këtë grupmoshë.
Kosovën do ta përfaqësojnë 18 vajza dhe 14 djem, që do të garojnë në xhudo, atletikë, çiklizëm, gjimnastikë, taekwondo, badminton, not, pingpong dhe shenjëtari.
Kosova merr pjesë në Festivalin Evropian për herë të gjashtë. Ka debutuar në Tbilisi në vitin 2015. Medaljen e vetme deri më tani e ka fituar atleti Muhamet Ramadani në “Baku 2019”. Ai fitoi të artën në hedhje të gjyles.
Deri më tani Kosova nuk ka dërguar asnjëherë mbi 19 sportistë.
Në Shkup, gjasat më të mëdha për sukses vlerësohet se i kanë xhudistët. Nga xhudoja do të garojnë Blerina Gashi, Sidorela Dodaj, Enise Zijade, Riad Kasapi, Milot Gashi dhe Roni Reshitaj. Xhudistët kosovarë kanë fituar medalje në çdo garë të mundshme, pos në këtë festival.
Medina Fejza, Erisë Avdullahu, Lorina Kadriu, Amar Maxhuni, Luan Mazrekaj, Bardh Telaku dhe Ledion Fetahaj garojnë në atletikë. Tringa Ibraj dhe Dionis Morina do të garojnë në badminton, ndërsa Dion Bytyqi në çiklizëm.
Sara Pllana, Rea Berisha dhe Bora Hoti do të fitojnë përvojë në gjimnastikë, njëjtë si Joana Jasiqi, Riga Kastrati, Lea Selmani, Dior Krasniqi, Nart Bakiu në not. Në pingpong do të garojnë Amant Sejdiu dhe Jona Hashani, Dhurata Ibrahimi në shenjëtari, kurse Bled Tufa, Arian Selimi, Alina Azemi, Resa Gashi dhe Imarah Vizdiklar në taekwondo.
Në Shkup mbahet edicioni i 18-të i Festivalit Olimpik Veror për të Rinj. Do të garojnë mijëra sportistë nga 49 vende të ndryshme.
Gara do të mbahen edhe në Kumanovë, ndërsa gara e gjimnastikës zhvillohet në Osijek të Kroacisë.