Kosova do të dërgojë delegacion masiv në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar të martën se plot 163 sportistë do të përfaqësojnë vendin në ngjarjen mesdhetare.
Prej tyre janë 87 sportistë dhe 76 sportistë. Në ngjarjet e deritashme shumësportëshe Kosova as për së afërmi nuk ka garuar me numër kaq të madh sportistësh. Pjesëmarrja në Lojëra Mesdhetare është e hapur, pra nuk ka normë kualifikimi, ndërsa KOK-u ka vendosur për numër të madh sportistësh për faktin se Lojërat Mesdhetare 2030 do të mbahen në Prishtinë.
Kosova ka debutuar në Lojërat Mesdhetare në “Tarragona 2018”. U përfaqësua nga 40 sportistë. Në “Oran 2022”, Kosovën e përfaqësuan 38 sportistë. Dhe numri është shumëfishuar për ngjarjen që mbahet në Taranto të Italisë prej 21 gushtit deri më 3 shtator. Në “Taranto 2026” do të garohet në 28 sporte të ndryshme, ndërsa priten sportistë nga 26 vende.
Sportistët e Kosovës do të garojnë në 21 sporte të ndryshme.
Edhe
Rekord medaljesh por më pak të arta për Kosovën
Për herë të parë Kosova do të garojë në katër sporte ekipore në Lojërat Mesdhetare. Në futboll garon me futbollistët U21 dhe futbollistet U19. Në hendboll garojnë përfaqësueset seniore, njëjtë si në volejboll. Ndërkohë në basketboll do të garohet në 3x3.
“Synimi është për ta përfaqësuar vendin sa më denjësisht”, shkruan në njoftimin e KOK-ut.
“Një moment i veçantë gjatë ceremonisë së mbylljes do të jetë dorëzimi te Kosova i flamurit të Lojërave Mesdhetare, si vend mikëpritës i edicionit të ardhshëm, Prishtina 2030”.
Kosova do të garojë edhe në xhudo, boks, atletikë, badminton, çiklizëm, kajakim, karate, mundje, padel, not, peshëngritje, pingpong, shenjëtari sportive, shigjetari, taekwondo, tenis dhe triatlon.
Medaljet priten nga xhudo e boksi, por shpresohet edhe në sporte të tjera.
Në Tarragona të Spanjës në vitin 2018, medalje të arta fituan Distria Krasniqi, Nora Gjakova e Akil Gjakova. Ndërkohë Loriana Kuka fitoi medalje argjendi. Të gjitha medaljet u fituan në xhudo.
Edhe
Kosova parakalon në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare
Në Oran të Algjerisë numri i medaljeve u rrit në gjashtë. Të arta fituan Distria Krasniqi, Laura Fazliu e Loriana Kuka. Akil Gjakova e Flaka Loxha fituan medalje bronzi. Pra pesë prej medaljeve ishin nga xhudoja. Të bronztë fitoi edhe Shpëtim Bajoku në boks.
Shpresohet se numri i medaljeve do të rritet, ndonëse në xhudo, ku janë shpresat më të mëdha, po bëhet gradualisht ndërrimi i gjeneratës.