Është folur shumë dhe vazhdon të flitet për infrastrukturën sportive që duhet të jetë gati për Lojërat e ardhshme Mesdhetare - “Prishtina 2030”. Jo çdo gjë ka shkuar sipas parashikimeve dhe gjatë katër vjetëve të ardhshme volumi i punës pritet të rritet.
Infrastruktura sportive mund të jetë sfidë, por jo kryesorja e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Sfida kryesore për Kosovën do të jetë krijimi i sportistëve me nivel, përkatësisht i sportistëve që do të fitojnë medalje në Lojërat Mesdhetare.
Në shumicën e sporteve konkurrenca është solide në Lojëra Mesdhetare. Por edhe në konkurrencë të tillë, Kosova kishte paraqitje të zbehtë në shumicën e sporteve në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, që përfunduan të enjten.
Kosova garoi në 21 sporte në Taranto të Italisë, ndërsa nëntë medaljet i fitoi në katër sporte: në xhudo pesë, në boks e karate nga një të artë dhe në peshëngritje dy. Dy fitore i shënuan volejbollistet, nga një fitore hendbollistët e hendbollistet, disa fitore ishin në padel, një barazim nga futbollistet e në shumicën e sporteve kishte vetëm humbje dhe vende në fund të renditjeve.
Kosova garoi me 163 sportistë në Taranto, ndërsa numri pritet të jetë edhe më i madh në Prishtinë pas katër vjetësh. Por nikoqirllëku dhe numri më i madh i sportistëve nuk nënkupton më shumë sukses e më shumë medalje.
Qartë, si nikoqire, presioni do të jetë për më shumë medalja nga Kosova. Por gjendja aktuale nuk vlerësohet shumë premtuese. Dhe rrjedhimisht sfida do të jetë zhvillimi i sportistëve me nivel që mund të fitojnë medalje.
Në Taranto, italianët ishin dominues. I fituan plot 224 medalje, prej tyre 74 të arta. Turqia u rendit e dyta me 111 medalje dhe 41 të arta. Pasoi Greqia me 26 medalje të arta dhe 71 gjithsej.
Standardi i Italisë është i paarritshëm për Kosovën. Por edhe shifra e Algjerisë nga “Oran 2022” duket shumë optimiste. Në Lojërat Mesdhetare të organizuara në Algjeri, sportistët e këtij vendi ishin në vendin e katërt të renditjes, pas Italisë, Turqisë e Francës. Algjerianët i kishin plot 20 medalje të arta dhe 53 medalje gjithsej.
20 edicionet e deritashme të Lojërave Mesdhetare janë mbajtur në shtete dukshëm më të mëdha se Kosova. Rrjedhimisht nuk mund të bëhet ndonjë krahasim se sa medalje do të jenë të mjaftueshme për Kosovën. Por përfundimisht do të synohen më shumë se në tri pjesëmarrjet e deritashme.
Kosova debutoi në “Tarragona 2018” në Spanjë. I fitoi katër medalje, prej tyre tri të arit. Mori pjesë me 40 sportistë. Në “Oran 2022” në Algjeri, Kosova i fitoi gjashtë medalje, prej tyre tri të arta. I kishte 38 sportistë. Në Taranto numri i sportistëve u rrit në plot 163, numri i medalje në nëntë, ndërsa numri i të artave ra në dy.
Gjitha medaljet janë fituar nga sportistë të konfirmuar. Nuk kishte emra të rinj që dhanë shpresë për sukses në të ardhmen. As trendi i deritashëm nuk është shumë premtues, edhe nëse krahasimi bëhet me norma olimpike të fituara që shpesh është matësi më i mirë.
Ndërkohë nuk kanë “ndezuar” as disa projekte shtetërore që për qëllim kishin rritjen e numrit të sportistëve kulmorë.
Ish-presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka kërkuar strategji shtetërore për rritjen e numrit të sportistëve kulmorë.
“Duhet të dërgohen më shumë trajnerë në kampe për të mësuar, pasi trajnimi është art. Duhet të punohet shumë me trajnerë, shteti të jap më shumë para që të dërgojë sportistë në vende elitare”, ka propozuar Hasani, ndër të tjera.
Tashmë kanë mbetur më pak se katër vjet deri te “Prishtina 2030”. Ndryshimi i madh është thuajse i pamundur, me gjithë paratë e shumta që shteti ndan për sportin e që jo gjithnjë shkojnë në destinacionin e duhur.