Dy netët e para të spektaklit të ndarjes së çmimeve “Emmy” 2026, që u mbajtën në teatrin Peacock në Los Angeles të Kalifornisë, kanë shpërndarë 102 çmime në kategoritë teknike, krijuese dhe interpretuese. Ceremonia kryesore televizive do të zhvillohet më 14 shtator, në NBC dhe Peacock, ka shkruar Deadline.
“Widow’s Bay” kryeson me 8 “Emmy”
Seriali i Apple TV “Widow’s Bay” ishte fituesi më i madh i mbrëmjes së dytë, duke marrë tetë çmime, ndërsa “DTF St. Louis” fitoi 6 dhe “Spider-Noir” 5.
Ndër fitoret më të rëndësishme ishin Betty Gilpin, aktore e ftuar në një serial komedi, për “Widow’s Bay”.
David Harbour, ka fituar çmimin si aktor dytësor në një miniserial ose film, për “DTF St. Louis”. Linda Cardellini, fitoi çmimin si aktore dytësore në një miniserial ose film, për “DTF St. Louis”. Steven Conrad, ka fituar për regji dhe skenar për “DTF St. Louis”. Shailene Woodley, ka fituar si aktore e ftuar në një serial dramë, për “Paradise” dhe ky ishte çmimi i parë “Emmy” për të. “Remarkably Bright Creatures”, fitoi çmimin si filmi më i mirë televiziv.
“South Park”, ka fituar si programi i animuar më i mirë, duke fituar “Emmyn” e pestë në këtë kategori.
Bad Bunny dhe “The Traitors” shkëlqejnë në natën e parë

Në natën e parë, spektakli “Apple Music Super Bowl LX Halftime Show Starring Bad Bunny” ishte ndër fituesit kryesorë, me shtatë “Emmy”, ndërsa “The Traitors” dhe “DTF St. Louis” morën nga gjashtë.
Këngëtari i mirënjohur, Bad Bunny ka fituar disa çmime për spektaklin që mbahet gjatë kohës së pauzës ndërmjet dy pjesëve të lojës së futbollit amerikan, “Super Bowl”, përfshirë regjinë, ndriçimin, drejtimin muzikor dhe realizimin teknik.
Video e spektkalit të Bad Bunny:
Alan Cumming ka fituar çmimin për prezantuesin më të mirë të një reality show për “The Traitors”, ndërsa Octavia Spencer u shpall narratorja më e mirë për “Lost Women of Alaska”.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte Mariska Hargitay, e cila fitoi për dokumentarin dhe regjinë e “My Mom Jayne”. Ajo do të jetë gjithashtu prezantuese e ceremonisë kryesore të “Emmyve”.
Fjalimi i Noah Wyle

Aktori Noah Wyle e nisi natën e dytë me një mesazh për artistët dhe profesionistët e industrisë.
“Është e mrekullueshme që shumë prej jush do të marrin ‘Emmy’ sonte. Shpresoj që të vazhdoni të punoni në projekte emocionuese, të përsosni zanatin tuaj dhe të përmbushni thirrjen tuaj. Vlerësojeni sa e veçantë është kjo”, ka thënë ai.
Serialet dhe platformat me më shumë “Emmy”
Pas dy netëve të para, “Widow’s Bay” kryeson me tetë çmime, i ndjekur nga spektakli i Bad Bunnyt me shtatë, ndërsa “DTF St. Louis” dhe “The Traitors” kanë nga gjashtë.
Në renditjen sipas platformave, Apple TV kryeson me 19 “Emmy”, përpara HBO Max me 16 dhe Netflix me 13.
Ceremonia kryesore e “Emmy Awards” zhvillohet më 14 shtator, ndërsa çmimet e dy netëve të para do të përfshihen në një transmetim të përmbledhur më 12 shtator në FXX.