Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

E djathta ekstreme në Gjermani me fitore të madhe në lindje, por nuk arrin shumicën

afd

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka shënuar një fitore bindëse në landin lindor gjerman të Saksonisë-Anhalt, duke lënë shumë prapa rivalët e saj kryesorë.

Megjithatë, rezultatet paraprake tregojnë se partia nuk ka arritur shumicën absolute të nevojshme për të qeverisur e vetme. AfD-ja ka siguruar 43.8% të votave, kundrejt 17.2% të CDU-së konservatore, ndërsa pritet të zhvillohen negociata të vështira për mënyrën se si do të qeveriset landi.

Udhëheqësi i AfD-së në këtë land, Ulrich Siegmund, e cilësoi rezultatin si “sensacional” dhe tha se partia ka marrë një mandat për të qeverisur.

Asnjë parti e ekstremit të djathtë nuk ka qeverisur një land gjerman që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Qeverisja në nivel landesh do t'i jepte partisë kompetenca në fusha si policia, arsimi lokal dhe kultura.

Saksonia-Anhalt ka një popullsi prej rreth 2.1 milionë banorësh, ndërsa dega e AfD-së në këtë land është vlerësuar nga inteligjenca e brendshme gjermane si “ekstremiste e krahut të djathtë”. Ky klasifikim është kundërshtuar nga Siegmund, 35 vjeç.

Siegmund, së bashku me bashkëkryetarët e AfD-së në nivel kombëtar, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, shprehën gëzim të madh pasi sondazhet në dalje nga qendrat e votimit treguan se partia ishte në rrugën për të marrë më shumë se dyfishin e rezultatit të saj të vitit 2021.

Komentatorët dhe kundërshtarët politikë e cilësuan fitoren si një pikë kthese dhe një shkëputje nga e kaluara. Televizioni kryesor gjerman, Das Erste, anuloi transmetimin e serialit të tij të famshëm kriminal “Tatort” për t'u përqendruar te rëndësia e rezultatit zgjedhor.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Saksoninë-Anhaltin”, u tha Siegmund mbështetësve të tij. “Është një sinjal për të gjithë Gjermaninë – një sinjal i vetëbesimit.”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, publikoi një pamje të rezultateve të projektuara nga televizioni gjerman në platformën e tij Truth Social. Më pas, i dërguari presidencial rus Kirill Dmitriev bëri një fotografi të postimit të Trumpit dhe e përshëndeti atë që e cilësoi si një “fitore historike për AfD-në pragmatike”.

Dmitriev kishte lavdëruar më herët AfD-në, parti e cila ka qëndrime miqësore ndaj Rusisë, duke e cilësuar si “partinë e shpresës dhe arsyes, bashkëpunimit, së vërtetës dhe shpresës për Gjermaninë”.

Para zgjedhjeve federale të Gjermanisë vitin e kaluar, edhe nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance, kishte shprehur mbështetjen për këtë parti, një veprim që në Gjermani ishte kritikuar si ndërhyrje politike.

Ndërkohë, kryeministri polak i qendrës së djathtë, Donald Tusk, e ka parë rezultatin në një mënyrë krejt tjetër. Ai deklaroi se “në Poloni vetëm idiotët dhe tradhtarët mund të gëzohen për triumfin e AfD-së”.

Franca e shqetësuar nga fitorja e së djathtës ekstreme në Gjermani

3 min. më parë / 7 sht 2026 09:42
France flamuri

Photo: Associated Press

Ministrat e qeverisë franceze kanë shprehur shqetësimin e tyre të hënën lidhur me ndikimin e fitores së partisë së ekstremit të djathtë "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) në zgjedhjet shtetërore të Saksonisë-Anhalt të dielën.

Sipas sondazheve të kryera në dalje të qendrave të votimit, partia "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) u rendit e para në zgjedhjet shtetërore të Saksonisë-Anhalt, duke e sjellë një parti të ekstremit të djathtë pranë marrjes së pushtetit në nivel shtetëror për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.

"Kjo dërgon qartazi një sinjal shumë, shumë shqetësues”, ka thënë ministri francez i Financave, Roland Lescure, për radion RTL.

"Kjo tregon se ne përballemi me një sfidë të madhe përballë një vale populiste që po përhapet sot në mbarë botën dhe të cilës duhet t'i rezistojmë”, ka shtuar Lescure.

Qëndrimet e Lescure-it pasqyronin komente të ngjashme të bëra vonë të dielën nga ministri francez për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad.

"Fitorja e ekstremit të djathtë në zgjedhjet rajonale gjermane shënon një moment shumë serioz për Evropën”, ka shkruar ai në platformën X.

"Duhet t'i dëgjojmë me përulësi zemërimin, frikën dhe shqetësimet, si dhe t'u përgjigjemi siç duhet këtyre shqetësimeve. Por nacionalizmi dhe ksenofobia nuk do të jenë kurrë zgjidhja”, ka shtuar Haddad.