Mbi 3800 sportistë do të paraqiten në Lojërat Mesdhetare që prej 21 gushtit deri më 3 shtator mbahen në Taranto të Italisë. Kosova është pjesë e kësaj ngjarjeje sportive, ndërsa do të përfaqësohet me plot 163 sportistë. Prej tyre 87 janë sportistë dhe 76 sportiste.
Prej vendeve që i ka pranë, Kosova ka numrin më të madh të sportistëve. Tashmë organizatori ka publikuar një listë të sportistëve pjesëmarrës nga secili vend.
Shqipëria përfaqësohet nga 72 sportistë. Bosnjë-Hercegovina dërgon në Taranto 76 sportistë, ndërsa Kroacia 111.
Mali i Zi do të përfaqësohet nga 55 sportistë, ndërsa Maqedonia e Veriut nga 88. Serbia do të ketë në “Taranto 2026”, 148 sportistë.
Në këto Lojëra Mesdhetare do të ketë sportistë nga 26 vende të ndryshme. Italia, si nikoqire, ka numrin më të madh të sportistëve – gati 500. Sportistë të shumtë do të ketë edhe nga disa vende të tjera. Turqia i ka 332 sportistë, Franca 330, Greqia 281, Algjeria 268 e Spanja 249.
Edhe
Kosova me plot 163 sportistë në Lojëra Mesdhetare
Pjesëmarrja në Lojëra Mesdhetare nuk është e kufizuar. Pra nuk ka normë kualifikuese. Varet nga Komiteti Olimpik i vendit përkatës se sa sportistë dërgon.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka vendosur për numër më të madh të sportistëve për shkak se edicioni i ardhshëm i Lojërave Mesdhetare, ai i vitit 2030, mbahet në Prishtinë.
Kosova për herë të tretë merr pjesë në Lojëra Mesdhetare, ngjarje që megjithatë nuk e ka peshën që e kishte dekada më parë. Në “Tarragona 2018”, në debutim, morën pjesë 40 sportistë të Kosovës. Në “Oran 2022”, ishin 38 sportistë nga Kosova.
Në Tarragona të Spanjës medalje të arta fituan xhudistët Distria Krasniqi, Nora Gjakova dhe Akil Gjakova, kurse të argjentë fitoi Loriana Kuka. Numri i medaljeve u rrit në gjashtë në Oran të Algjerisë. Distria, Laura e Loriana fituan të arta, kurse të bronzta fituan Flaka Loxha dhe Akil Gjakova, si dhe boksieri Shpëtim Bajoku.
Edhe
Volejbollistët fillojnë përgatitjet për Lojëra Mesdhetare
“Taranto 2026” është edicioni i 20-të i Lojërave Mesdhetare. Kjo ngjarje fillimisht është mbajtur në Aleksandri të Egjiptit në vitin 1951. Marrin pjesë shtete në afërsi të Detit Mesdhe, nga Evropa, Afrika dhe Azia.
Flamurin e Kosovës në Ceremoninë Hapëse të Lojërave Mesdhetare do ta mbajnë boksierja Donjeta Sadiku dhe taekwondisti Bleron Ademi. Sërish medaljet priten nga xhudistët, por shpresohet edhe për medalje në boks dhe në ndonjë sport tjetër.