Sport

Vëllaznimi paralajmëron kthim të fuqishëm në Superligë

Pas një edicioni në Ligën e Parë, KB Vëllaznimi është kthyer në Superligë. Ekipi nga Gjakova ka paralajmëruar se do të jetë “arrë e fortë” për të gjitha skuadrat në elitën e basketbollit kosovar. Si për ta dëshmuar këtë, Vëllaznimi është një prej skuadrave të pakta që tashmë ka nisur përgatitjet për edicionin 2022/23, që nis muajin e ardhshëm.

Vëllaznimi të hënën ka nisur me fazën përgatitore, nën urdhrat e trajnerit nga Kroacia, Franko Sterle. Vetëm edhe Trepça dhe Bashkimi tashmë kanë nisur me stërvitje, prej tetë skuadrave pjesëmarrëse në Superligë.

Sterle për KOHËN ka thënë se dëshiron që ekipi i tij të jetë sa më i përgatitur për sezonin e ri dhe për këtë arsye ka filluar herët me përgatitje.

“Përgatitjet para nesh i ka filluar vetëm Trepça, ndërsa i kemi nisur në të njëjtën kohë me Bashkimin. Arsyeja që kemi nisur kaq herët është që të jemi sa më të përgatitur dhe të gatshëm për sezonin e ri, i cili nuk do të jetë aspak i lehtë. Duam t’i kemi prej 6 deri në 8 javë përgatitje deri te ndeshja e parë zyrtare dhe gjatë kësaj kohe do të bëjmë më të mirën për të treguar që jemi gati për Superligë”, është shprehur Sterle.

Vëllaznimi sezonin e shkuar doli kampion i Ligës së Parë, në të cilën ra pas edicionit 2019/20. Sterle është kthyer te Vëllaznimi, pasi udhëhoqi ekipin në pjesën e parë të edicionit të kaluar. Ai thotë se vetëm po e vazhdon punën që e ka lënë në gjysmë, por tani në Superligë.

“Kontakti me Vëllaznimin ishte prej sezonit të shkuar dhe u largova me idenë që të kthehem në ekip për Superligë. Kështu që kjo tani është vetëm vazhdim i punës që e nisëm së bashku me ekipin sezonin e shkuar”, është shprehur Sterle.

Sipas tij, Vëllaznimi ka treguar seriozitet në prag të sezonit të ri pasi tashmë pothuajse e ka kompletuar ekipin me lojtarë vendorë e të huaj. Burim Zekiqi, Shëndrit Llapi, Don Polloshka e Arbër Sinani janë transferuar, ndërsa bashkëpunimin me ekipin gjakovar e kanë vazhduar Atik Koshi e Rron Dahsyla. Sa i përket të huajve, fundori Preston Knowles e qendra Will Brown tashmë janë pjesë e ekipit. Sterle ka thënë se së shpejti do të transferojnë edhe të huajt tjerë për t’u kompletuar me kohë.

“Për sezonin e ri klubi ka ambicie dhe është treguar serioz prej kontaktit të parë që e kemi pasur. Për këtë arsye edhe po formojmë një ekip të mirë që besoj se do të ketë paraqitje të mira në edicionin e ri. Nuk do të jetë lehtë, por do të luftojmë. Ndihmës i imi do të jetë Josip Plantak, të cilin e kam marrë këtë edicion për të më ndihmuar që së bashku të kemi rezultate sa më të mira”, është shprehur Sterle.

Sipas trajnerit kroat, synimi primar i Vëllaznimit është ta sigurojë mbetjen në elitë edhe për sezonin 2023/24. Tek ekipi gjakovar nuk duan të kthehen në një kategori më poshtë pas vetëm një viti.

Sterle ka insistuar se Vëllaznimi do të jetë kundërshtar i fortë për të gjitha skuadrat tjera.

“Tani për tani synim mbetet të sigurojmë mbetjen në ligë dhe këtë do ta shohim kur të startojë Superliga. E di që nuk do të jetë shumë lehtë, pasi shumica e klubeve kanë bërë një punë të mirë këtë verë duke u forcuar me lojtarë cilësorë dhe trajnerë të njohur. Do të kompletohemi edhe me disa të huaj dhe besoj se do të jemi ‘arrë e fortë’ për të gjithë”, shtoi Sterle.

Sterle e njeh Superligën e Kosovës pasi para Vëllaznimit ka punuar edhe te skuadra e Bashkimit gjatë sezonit 2019/20. Në pjesën e dytë të sezonit të shkuar ai ishte në krye të ekipit të femrave të Bashkimit. Sa i përket kampionatit të ri, Sterle është i bindur se do të jetë shumë më i fortë dhe me rivalitet më të madh se edicioni i shkuar.

“Mendoj se në sezonin e ri liga do të jetë shumë më cilësore dhe tejet e fortë. Më vjen mirë që Superliga nga vit në vit po e ngre nivelin dhe me këtë po fiton edhe respekt më të madh nga basketbolli i Evropës”, ka thënë trajneri i ekipit gjakovar.