Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndaluar të dielën në fshatin Gazivodë në Zubin-Potok një automjet me targa vendore, ndërsa në të janë gjetur dhe sekuestruar katër armë zjarri.
Policia ka bërë të ditur se vetura ishte ndaluar rreth orës 16:15, ndërsa në të ishin dy persona.
Ka njoftuar se pasi drejtuesi i automjetit A.B. (1993) është pyetur nëse posedonte ndonjë gjë të jashtëlishme, ai kishte treguar se posedonte armë zjarri, për të cilat tha se i kishte gjetur në një thes, jo shumë larg vendit ku u ndalua automjeti.
“Zyrtarët policorë, duke vepruar me profesionalizëm dhe duke zbatuar masat e nevojshme të sigurisë, fillimisht kanë arrestuar dy personat. Më pas, gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar katër (4) armë zjarri, njëra prej tyre e llojit AK-47 dhe tri armë të tjera të llojit M-48”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Policia ka bërë të ditur se është njoftuar Prokurori i Shtetit lidhur me rastin, i cili ka urdhëruar kontrollin në adresat e banimit të dy personave në Mitrovicë të Jugut. Gjatë kontrollit në adresat nuk është gjetur ndonjë gjë e kundërligjshme. A.B. (1993) dhe I.M. (1973) janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, ndërsa ata më pas janë liruar në procedurë të rregullt.
“Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, të dy personat janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, sipas procedurave ligjore. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti do të hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Policia e Kosovës fton të gjithë qytetarët që, në rast se hasin në armë apo mjete të tjera të kundërligjshme, të mos i prekin ato, por të njoftojnë Policinë përmes numrit emergjent 192. Policia mbetet e përkushtuar që, në interes të sigurisë së përgjithshme, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e personave të paautorizuar”, ka njoftuar Policia e Kosovës.