Futbollistët e Ukrainës e ndiejnë si detyrë të përfaqësojnë identitetin e kombit të tyre në një skenë globale dhe t'u japin krenari njerëzve në shtëpi gjatë luftës së Rusisë në atdheun e tyre. Misioni është i përmbushur deri tani. Me Ukrainën tani vetëm një fitore larg një vendi për të rritur moralin me kualifikim në Botërorin “Katari 2022”, lojtarët janë inkurajuar prej mesazheve nga ukrainasit që po luftojnë prapa në shtëpi. Mesazhet – nga njerëzit që përballen me rreziqe të përditshme për ta mbrojtur Ukrainën – e ngritën skuadrën para dhe pas fitores së parë frymëzuese në gjysmëfinalen e plejofit për kualifikim në Kupën e Botës të mërkurën mbrëma.
“Ata na dërguan mesazhe para dhe pas ndeshjes”, tha mesfushori i Atalantas, Ruslan Malinovskyi, pas fitores së Ukrainës 3:1 ndaj Skocisë në Glasgow. “Para ndeshjes ata na shkruan: ‘Djema, ne jemi me ju, bëni punën tuaj në fushë, ne bëjmë punën tonë për të mbrojtur vendin tonë’. Këto mesazhe na motivuan për ta fituar ndeshjen e parë”.
Skuadra jashtëzakonisht mbresëlënëse e Ukrainës u zhvendos të enjten në Uells, ku fitorja do të siguronte vendin e saj në Kampionatin Botëror që nis në nëntor. Ukraina, të dielën në Cardiff do të përballet me Përfaqësuesen e Uellsit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, falënderoi ekipin në rrjetet sociale për “dy orë lumturi”.
Performanca e ekipit dhe uniteti me njerëzit në shtëpi erdhi “nga shpirti ynë, nga zemra jonë”, tha mesfushori Taras Stepanenko, i cili ka kaluar tetë vjetët e fundit duke luajtur për Shakhtar Donetskun, një klub i larguar nga qyteti i tij për shkak të konfliktit të mbështetur nga Rusia.
“Unë kam ndoshta 100 mesazhe nga miqtë e mi, nga familja ime, nga ushtria jonë që shërbejnë tani në një situatë shumë të vështirë”, tha Stepanenko të enjten.
Stepanenko pranoi se “dëshironte të qante” gjatë himnit të Ukrainës që u intonua disa minuta para fillimit të ndeshjes me Skocinë. Ai qeshi duke shpjeguar një mesazh pas ndeshjes të dërguar nga një mik. Një ushtar i vendosur në kufi bëri shaka se goli i Skocisë, i cili mezi e kaloi vijën e portës, nuk kishte shkelur në të vërtetë territorin e Ukrainës.
“Shoku im shumë i mirë, tani ai është në një pikë shumë të vështirë luftimi për çdo ditë. Ai tha se ky top nuk kaloi vijën fatale apo kufirin”, zbuloi Stepanenko.
Historia dukej se konfirmonte parashikimet e sigurta të lojtarëve se kushdo që mund ta ndiqte lojën e futbollit në shtëpi do të përpiqej ta bënte këtë. Baret në Kiev qëndruan të hapura pas dyerve të mbyllura përmes një shtetrrethimi dhe gjatë alarmeve për sulme ajrore.
“Ne bëmë gjithçka për njerëzit për të cilët luajtëm”, tha përzgjedhësi i Ukrainës, Oleksandr Petrakov, ekipi i të cilit ka vendosur ngjyrat e shtetit ukrainas në një skenë të transmetuar globalisht. “Për forcat e armatosura në llogore dhe në spitale, që japin pikën e fundit të gjakut, për ata në Ukrainë që vuajnë çdo ditë. Ata do të na falënderojnë dhe ne do t'i falënderojmë. Gratë dhe fëmijët po vriten nga rusët çdo ditë”.
Qëllimi i trajnerit Petrakov ishte me ata që erdhën në Glasgow për të ndarë momentin mes 3.000 tifozëve të Ukrainës në një turmë prej rreth 50.000 personash që ishin në tribunat e stadiumit “Hampden Park” në Glasgow.
“Sa më shumë Ukrainë të shihni në TV dhe lajme kudo, është më mirë për ne” tha Yaroslav Grygorenko, i cili jeton në Amsterdam me gruan e tij dhe tre fëmijët e tyre. “Është më e rëndësishme se zakonisht të jesh atje, pra në Kupën e Botës”.
Përpjekja e Ukrainës për t'u kualifikuar në turneun final – ku ndeshja e saj e parë do të ishte kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 21 nëntor – vazhdon në Cardiff të dielën. Fitorja ndaj Uellsit do t'i jepte Ukrainës pesë muaj kohë për t'u përgatitur për një turne, me Iranin dhe Anglinë gjithashtu që janë në Grupin B me SHBA-në. Malinovskyi pranoi vlerën e futbollit që e mban Ukrainën në lajme, ndërsa tmerret e luftës gradualisht po normalizohen në botë.
“Kanë kaluar tre muaj dhe disa njerëz tashmë janë të lodhur nga kjo. Të gjithë e kuptojmë këtë”, tha ai.
Në moshën 29-vjeçare dhe vite pas largimit nga Shakhtari dhe Ukraina, Malinovskyi foli për një të ardhme më larg ndikimit rus për vendin ku ende jetojnë prindërit dhe vëllai i tij.
“Unë jetoj në Evropë për gjashtë vjet, ne duhet të shkojmë në këtë mentalitet. Unë jetova në Belgjikë për 3 vjet e gjysmë dhe në Itali tashmë prej tre vjetësh”, tha lojtari i Atalantas. “Duhet të shkojmë për këtë, sepse niveli i jetës është më i lartë”.
Së pari, skuadra e Ukrainës po kryen detyrën e saj këtë javë për të ngritur nivelin e moralit edhe më shumë në shtëpi. Pra, po e kërkon kualifikimin në Botëror.