Futboll

Kualifikimi në Evropian ngre moralin e ukrainasve

Tifozët e Ukrainës pas kualifikimit në Euro 2024

Tifozët e Ukrainës pas kualifikimit në Euro 2024

Kualifikimi i Ukrainës në Kampionatin Evropian të futbollit ka gëzuar qytetarët e vendit që po kalon moment të vështirë për shkak të konfliktit me Rusinë. Për disa javë në qershor e korrik, turneu evropian i futbollit do të ofrojë për ukrainasit një shpërqendrim të mirëpritur nga realiteti i ashpër i luftës.

Përfaqësuesja e Ukrainës u kthye nga disavantazhi 1:0 për të fituar 2:1 ndaj Islandës në finale të plejofit, përkatësisht në ndeshjen vendimtare për kualifikim në “Gjermania 2024”. Ndeshja u zhvilluar në terren neutral, në Wroclaw të Polonisë, në praninë e 30 mijë shikuesve.

Ukraina në “Euro 2024” do të jetë në Grupin E së bashku me Belgjikën, Sllovakinë dhe Rumaninë. Ndeshjen e parë në Evropian ukrainasit e kanë më 17 qershor ndaj Rumanisë në Munih.

Pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në vitin e tretë. Me gjithë pasojat e mëdha në të dy anët, nuk ka shenja se lufta do të përfundojë. Pushtimi rus kishte nisur në shkurt të vitit 2022.

“Jam shumë krenar që jam ukrainas, që e kam gjakun e njëjtë me ata që tani po e japin jetën për lirinë tonë”, ka thënë kapiteni Oleksandr Zinchenko pas fitores së arritur të martën mbrëma.

“Ne duhet të flasim për këtë çdo ditë, të flasim me zë të lartë. Kjo është mënyra e vetme se si mund të fitojmë. Ishte njëra prej ndeshjeve tona më emocionale. Është ndjenjë e mahnitshme. Jam shumë i lumtur, pasi është një tjetër ëndërr e bërë realitet. Një falënderim i madh për tifozët. Ata na kanë ndihmuar shumë në këto kohë të vështira”, ka shtuar Zinchenko.

Trajneri Serhiy Rebrov ka thënë se për ekipin e tij është e vështirë të koncentrohet në futboll.

“Raketat fluturojnë çdo ditë. Misioni ynë është t’u tregojmë të gjithëve se jemi gjallë, se po luftojmë kundër rusëve dhe se kemi nevojë për mbështetjen e Evropës”, ka theksuar Rebrov.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka lavdëruar qëndrueshmërinë e ekipit në këtë kohë të vështirë.

“Faleminderit ekipi. Faleminderit për fitoren e rëndësishme dhe për kualifikimin në Evropian”, ka shkruar Zelenskiy. “Që keni dëshmuar sërish që kur ukrainasit përballen me vështirësi ata nuk dorëzohen por vazhdojnë të luftojnë dhe në fund fitojnë. Kur armiku përpiqet të na shkatërrojë, ne dëshmojmë çdo ditë që ukrainasit janë dhe do të jenë. Ukraina është dhe do të jetë”.

Ukraina e përfundoi me sukses misionin kualifikues në Poloni, ku është numri më i madh i refugjatëve ukrainas. Por rruga deri në Evropian nuk ishte e lehtë. Ukraina ishte në një grup të vështirë kualifikues që përfshinte kampionen në fuqi, Italinë dhe nënkampionen, Anglinë. Mori barazime ndaj të dyjave. Nuk u kualifikua përmes kualifikimeve të rregullta, por kishte rast të dytë përmes plejofit. Më 21 mars fitoi 2:1 ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Zenicë, po ashtu duke u kthyer nga disavantazhi. Dhe të martën mbrëma e festoi suksesin e madh.

Me Roman Yaremchuk dhe Artem Dovbyk në sulm, me Mikhailo Mudrykun në krah, Zinchnekon në mesfushë dhe stabilitetin e Illya Zabarnyit dhe Vitaliy Mykolenkos prapa, Ukraina ka përfaqësuese me potencial.

Ukrainasit kanë dëshmuar që mund të fitojnë edhe kur vlerësohen autsajderë, ndërsa shpresojnë që kjo të jetë mesazh bashkimi për vendin.

“Ishte shumë vështirë të jem në stol sot. E kam parë, po ashtu ,se sa e vështirë ishte për djemtë. U jam mirënjohës të gjithëve për këtë dhuratë për vendin tonë. Në një kohë kaq të vështirë, ky kualifikim është shumë i rëndësishëm”, ka shtuar selektor Rebrov.

Në fillim të qershorit Ukraina i luan dy miqësore. Luan me Gjermaninë më 3 qershor dhe me Poloninë më 7 qershor. Më pas kërkon lavdinë në ngjarjen e madhe të futbollit.