Euro 2024

Rebrov i dëshpëruar me disfatën e Ukrainës

Ukraina

Humbja 3:0 e Ukrainës nga Rumania në ndeshjen e parë të Evropianit “Gjermania 2024”, nuk është pritur mirë nga përzgjedhësi i Ukrainës Serhiy Rebrov.

Rebrov pas përfundimit të ndeshjes është shprehur i zhgënjyer me rezultatin e ndeshjes.

“Të gjithë kanë kërkuar falje. Jam i sigurt se lojtarët po ndiejnë se nuk kanë bërë mjaftueshëm, sepse para ndeshjes menduam se këtu po përfaqësojmë një vend të madh të fortë që ka luftuar për më shumë se dy vjet për lirinë e tij. Të gjithë janë të pakënaqur. Këtë mbrëmje do të analizojmë ndeshjen dhe nesër do të flasim me lojtarët”, u shpreh Rebrov.

Ai ka theksuar se Rumania ka zhvilluar ndeshje të mirë ndaj Ukrainës.

“Rumania është një ekip i mirë. E thashë më parë, ky është një komb futbolli. Ata mund të luajnë futboll dhe e treguan këtë sot”, tha 50-vjeçari.

Ndeshjen e dytë të fazës së grupeve në Euro 2024, Ukraina do të përballet me Sllovakinë më 21 qershor.