Eliminimi nga Polonia në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026 të enjten e kaluar, vazhdon të përjetohet rëndë nga lojtarët e Shqipërisë.
Për humbjen në Varshavë u fol edhe të dielën pas stërvitjes që Shqipëria e zhvilloi në qendrën sportive në Valencia të Spanjës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoShqipëria të martën e luan miqësoren ndaj Ukrainës, gjysmëfinalistes tjetër të eliminuar nga plejofi kualifikues.
Ukraina u eliminua nga Suedia, pas humbjes 3:1.
Ndeshja Ukrainë – Shqipëri luhet në Valencia, të martën nga ora 20:45.
Mbrojtësi Ardian Ismajli thotë se Shqipërisë i mungoi fati ndaj Polonisë. Polakët fituan 2:1.
“Besoj që kemi merituar shumë më shumë, kemi pasur shumë raste për të shënuar dhe normalisht që jemi shumë të dëshpëruar. Duke e parë si shkoi ndeshja, me të vërtetë që e kemi merituar kualifikimin për finalen e plejofit të Botërorit. Por ndonjëherë futbolli është kështu, ta kthen shpinën dhe fati nuk ishte me ne. Por shpresojmë për më shumë fat në të ardhmen. Kjo ndeshje na shërben për t’u rritur shumë më shumë si futbollistë dhe si grup për të ardhmen”, ka thënë Ismajli për Federatën Shqiptare të Futbollit.
Pas miqësores kundër Ukrainës, Ismajli thotë se fokusi i Shqipërisë do të kthehet kah ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe atyre të kualifikimeve për Euro 2028.
Edhe Anis Mehmeti shpreh keqardhjen për humbjen ndaj Polonisë. Ai vlerëson maksimalisht miqësoren me Ukrainën.
“Normalisht që jemi të mërzitur sepse kemi bërë një ndeshje shumë të mirë ndaj Polonisë, kemi krijuar disa raste të pastra për gol. Ndaj Ukrainës, edhe pse është miqësore, çdo ndeshje e Kombëtares është shumë e rëndësishme dhe ne do të japim maksimumin për ta fituar. Ukraina është një skuadër shumë e fortë dhe unë zotohem se nëse do më jepet mundësia, do të jap maksimumin në çdo moment. Grumbullimi në Kombëtare është krenari shumë e madhe për mua dhe familjen time. Është e qartë që jemi të mërzitur akoma për rezultatin e ndeshjes së fundit, jemi duke punuar shumë për të zhvilluar një ndeshje shumë të mirë ndaj Ukrainës. Ndonëse është miqësore, ne duam të tregojmë vlerat tona dhe të marrim një rezultat pozitiv”, u shpreh Mehmeti.
Shqipëria në shtator i nis ndeshjet e Ligës së Kombeve. Në Grupin 1 të Ligës C me Shqipërinë janë edhe Finlanda, Bjellorusia dhe San Marino.