Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Miqësoret që s’i do askush

Shqiperia

E gjithë vëmendja të martën mbrëma do të jetë te finalet e plejofit evropian për kualifikim në Kupën e Botës në futboll.

Shqiptarët do të fokusohen te ndeshja mes Kosovës e Turqisë, që zhvillohet në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Bosnjë-Hercegovina – Italia, Çekia – Danimarka, Suedia – Polonia janë tri finalet e tjera të plejofit, që po ashtu zhvillohen prej orës 20:45.

Por në mesin e shumë ndeshjeve të së martës janë edhe katër miqësore që nuk i dëshiron askush. Bëhet fjalë për miqësoret mes skuadrave që humbën në gjysmëfinale të plejofit evropian.

Shqipëria luan ndaj Ukrainës në miqësoren në Valencia, nga ora 20:45. Në gjysmëfinale të plejofit, të enjten e kaluar, kuqezinjtë pësuan 2:1 nga Polonia në Varshavë. Ndërkohë Ukraina humbi 3:1 në Valencia, nga Suedia. Për shkak se po përballet me pushtimin rus, Ukraina si vendase luan në Spanjë.
Shqipëria e Ukraina ishin në njërën prej katër “rrugëve” të plejofit dhe për këtë përballen në miqësore, si humbëse të gjysmëfinaleve. Vendimi që përfaqësueset që humbin gjysmëfinalet të përballen në miqësore u mor shumë më herët. 

Miqësoret e “padëshiruara” shërbejnë më së shumti për të testuar lojtarë të rinj, përkatësisht ata që nuk e kishin shumë rastin në kualifikimet e rregullta dhe në gjysmëfinale të plejofit. Megjithatë motivimi i lojtarëve pas humbjes në gjysmëfinale do të jetë i vështirë.

Te Shqipëria janë liruar tre lojtarë pas humbjes nga Polonia. Arlind Ajeti e Ernest Muçi u liruan për shkaqe shëndetësore, ndërsa Ylber Ramadani për arsye familjare.

“Çdo ndeshje e Kombëtares është e rëndësishme. Kjo është miqësore, nuk është e lehtë pas asaj ndeshjeje ndaj Polonisë, por ne jemi profesionistë dhe i kemi kaluar këto sfida”, ka thënë mbrojtësi Ardian  Ismajli.

Sllovakia, që u mposht 4:3 nga Kosova në Bratislavë, e pret Rumaninë, që humbi 1:0 nga Turqia në Stamboll. Ndeshja zhvillohet në arenën ku u zhvillua edhe gjysmëfinalja e plejofit.
Natyrisht, interesimi për këto miqësore pritet të jetë dukshëm më i vogël se për gjysmëfinalet e po ashtu për finalet e plejofit.

“Jemi të dëshpëruar me rezultatin e ndeshjes me Kosovën. Mendoj se kemi pasur atë që është dashur për ta fituar atë ndeshje. Kosova gjuajti pesë herë dhe shënoi katër gola. Kishim ekip dhe kualitet për ta mposhtur Kosovën dhe finales nuk i dihet asnjëherë. Por nuk mund të bëjmë më asgjë për këtë, ka thënë Tomash Suslov, njëri prej lojtarëve të Sllovakisë.

Uellsi – Irlanda e Veriut dhe Irlanda – Maqedonia e Veriut janë dy miqësoret e tjera të përfaqësueseve që i humbën gjysmëfinalet e plejofit.