Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Shqipëria konfirmon miqësoret e qershorit, Kosova në bisedime

Kosova

Më 3 dhe 6 qershor Shqipëria do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në Tiranë. Miqësoren e parë do ta ketë kundër Izraelit, kundërshtarit të Kosovës në Ligën e Kombeve, ndërsa duelin e dytë miqësor do ta ketë kundër Luksemburgut.

Miqësoren ndaj Izraelit, Federata Shqiptare e Futbollit e bëri të ditur të enjten, derisa ditë më parë njoftoi për miqësoren ndaj Luksemburgut.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të dyja ndeshjet miqësore, Shqipëria i zhvillon në “Air Albania” nga ora 20:00.

“Muaji qershor sjell një tjetër provë të rëndësishme për kombëtaren, që do të zbresë në fushë për dy ndeshje miqësore në stadiumin ‘Air Albania’. Kuqezinjtë do të përballen më 3 qershor, në orën 20:00, me Izraelin, në atë që do të jetë testi i parë i muajit. Kjo do të jetë përballja e shtatë në histori mes dy përfaqësueseve dhe e para miqësore, pasi të gjitha takimet e mëparshme janë zhvilluar në kuadër të kualifikueseve të Kampionateve Botërore dhe Evropiane. Sa i përket bilancit të ndeshjeve, kuqezinjtë kanë fituar dy nga përballjet dhe kanë humbur katër. Ndërkohë, më 6 qershor, po në orën 20:00, Shqipëria do të zhvillojë një tjetër miqësore ndaj Luksemburgut, sërish në ‘Air Albania’”, shkruan në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Janë miqësoret e para për Shqipërinë pas plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026. Shqipëria në gjysmëfinale të plejofit më 26 mars u eliminua nga Polonia pas humbjes 2:1 në Varshavë.

Polonia është njëra prej kundërshtareve të mundshme të Kosovës në qershor.

Mediumet polake më herët këtë muaj kanë shkruar se Federata e Futbollit e Polonisë është në bisedime me Federatën e Futbollit të Kosovës për aranzhimin e miqësores në qershor.

Krahas Polonisë, Kosova është në bisedime edhe me disa përfaqësuese të tjera që nuk kanë siguruar paraqitjen në Kupën e Botës 2026.

“Dardanët” ishin afër të siguronin për herë të parë në histori paraqitjen në Botëror.

Kosova e kaloi me sukses gjysmëfinalen e plejofit duke e mposhtur Sllovakinë në Bratislavë 4:3 më 26 mars, ndërsa në finale në Prishtinë më 31 mars humbi nga Turqia me rezultat 1:0.

“Miqësoret duhet t’i luajmë në fillim të qershorit. Por ende nuk janë të konfirmuar. Këto ditë vendoset, ndoshta javën tjetër. Kërkesat tona dhe të selektorit që të luajmë një ndeshje brenda dhe një jashtë. Por nuk prish punë edhe nëse i luajmë brenda dy miqësoret. Do të shohim. Përveç me Italinë, e cila i ka caktuar miqësoret, me tjerat jemi në bisedime kombëtaret. Por secila po e kërkon kundërshtarin që i konvenon. Ende nuk ka konfirmim”, ka thënë drejtori i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti për KOHËN të enjten.

Sahiti thotë se për përzgjedhësin Franco Foda do të jetë mundësi për të testuar ndonjë emër të ri e po ashtu ndonjë skemë të re.

“Është mundësi e mirë për selektorin t’i shohë lojtarët që nuk kanë pasur shumë minutazh. Por mund të ketë edhe prurje të reja. Javën e ardhshme do të dihen më shumë detaje, pasi të zyrtarizohen miqësoret”, është shprehur Sahiti.

Pas miqësoreve të qershorit, Kosova në shtator nis ndeshjet e Ligës së Kombeve.

Falë ngritjes së madhe të dy vjetëve të fundit, Kosova për herë të parë do të luajë në Ligën B të Ligës së Kombeve. Do të jetë në grup me Izraelin, Austrinë e Irlandën.

Kosova fillon më 24 shtator në shtëpi ndaj Irlandës. Menjëherë më 27 shtator “Dardanët” luajnë në udhëtim ndaj Austrisë. Më 1 tetor është ndeshja Izrael - Kosovë, kurse më 4 tetor, Kosovë - Austri. Dy ndeshjet e fundit janë në nëntor. Më 14 nëntor, Kosova e pret Izraelin, kurse më 17 nëntor është ndeshja Irlandë - Kosovë.

Kosova synon ta fitojë grupin dhe edicionin e ardhshëm të paraqitet në Ligën A të Ligës së Kombeve.

Por synimi i madh i Kosovës do të jetë kualifikimi në Kampionatin Evropian të Futbollit, atë të vitit 2028.