Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ukrainasit shpresojnë për fitore në fushën e futbollit në Glasgow

Ukrainasit shpresonin të martën për fitore në fushën e futbollit, një ditë përpara se përfaqësuesja e tyre të luajë ndeshjen e parë zyrtare që kur Rusia filloi pushtimin. Ukraina të mërkurën luan përballë Skocisë në kuadër të gjysmëfinales së plejofit për kualifikim në Kupën e Botës “Katari 2022”.

Ndeshja Skoci - Ukrainë do të zhvillohet në Glasgow nga ora 20:45. Orari i këtij dueli u zhvendos nga marsi, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, dërgoi trupa në Ukrainë më 24 shkurt. Pas tre muajsh luftë, tifozët thanë se një fitore e përfaqësueses së tyre do të ofronte një ndjenjë gëzimi shumë të nevojshme në këto momente.

“Unë shpresoj për fitore”, tha ushtaraku 44-vjeçar, Andriy Veres, në Kiev për AFP. “Kjo ditë do të jetë shumë e rëndësishme për vendin, për të gjithë njerëzit, për të gjithë ata që janë tifozë dhe madje edhe për ata që nuk janë”.

Ai e krahasoi shpresën e ekipit ukrainas për një fitore me vendin që lutet për sukses në vijën e parë të frontit.

“Ne besojmë në Forcat e Armatosura të Ukrainës, ne besojmë në ekipin tonë kombëtar të futbollit”, tha Veres, i cili shpreson të jetë në gjendje ta shikojë ndeshjen, pavarësisht nga detyrat ushtarake.

Edhe Uellsi – Ukraina, më shumë se një ndeshje Sport Uellsi – Ukraina, më shumë se një ndeshje

Tifozëve të futbollit në Ukrainë u ka munguar sporti, pasi të gjitha ndeshjet e kampionatit vendas janë anuluar që nga sulmi i Moskës. Përfaqësuesja e Ukrainës u stërvit për plejofin e Botërorit në Slloveni, pasi stadiumet dhe infrastruktura sportive janë në rrezik nga bombardimet ruse.

“Çdo ngjarje që përfshin jetë paqësore do të jetë shumë e mirëpritur”, shtoi Vladyslav Dykhan, një punëtor ndërtimi 53-vjeçar. “Ne nuk mund të përqendrohemi vetëm në luftë. Ne kemi nevojë për një ndeshje futbolli për ta harruar paksa këtë situatë të vështirë”.

Do të ishte një “frymëzim” dhe do ta “ngrinte shumë moralin në vend” nëse Ukraina e mposht Skocinë, tha ai.

Dykhan këto fjalë i tha jashtë stadiumit “Olympiysky” të Kievit. Arena me 70,000 ulëse priti finalen e Ligës së Kampionëve ndërmjet Liverpoolit dhe Real Madridit vetëm katër vjet më parë, por tani është bosh, me pak njerëz që kalojnë pranë portave të tij të mbyllura.

Kryeqyteti i Ukrainës u kursye nga fati i disa qyteteve lindore dhe veriore të shkatërruara pothuajse tërësisht nga luftimet dhe jeta është kthyer ngadalë në normalitet, pasi trupat ruse u tërhoqën nga qyteti. Por një shtetrrethim i përditshëm nga ora 23:00 do të thotë se tifozët ka të ngjarë të jenë në gjendje të shohin vetëm pjesën e parë të ndeshjes në pijetore dhe do të duhet të shikojnë pjesën tjetër në shtëpi. Edhe nëse detyrohen të shikojnë atë nga divanet e tyre, loja do t'u ofrojë ukrainasve një ndjenjë normaliteti.

“Jeta vazhdon pa marrë parasysh çfarë, pavarësisht se çfarë ndodh rreth jush”, tha një shkencëtar 67-vjeçar, Andriy Ganchuk.

Edhe Ukraina po përmbush detyrën e saj në misionin e Botërorit Sport Ukraina po përmbush detyrën e saj në misionin e Botërorit

Ukraina ka luftuar për të gjetur partnerë për t’u përgatitur, në një kalendar të ngjeshur të ndeshjeve ndërkombëtare dhe ka luajtur vetëm dy ndeshje miqësore përpara ndeshjes me Skocinë. Artem Frankov, një analist futbolli nga Kievi, pranoi se ky mund të ishte një problem për Ukrainën, por ende beson se ukrainasit janë në gjendje të fitojnë. Ai tha se ndeshja është “e rëndësishme” për ekipin, pasi Ukraina është kualifikuar në Kupën e Botës vetëm një herë që kur filloi të luante si vend i pavarur, në vitin 2006.

“Ne të gjithë e kuptojmë shumë mirë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për një vend në luftë”, tha Frankov. “Përfshirë ata që janë në vijën e parë të frontit, duke luftuar kundër pushtuesit dhe duke rrezikuar jetën e tyre”.