Kur rruga e pazakontë e Ukrainës për kualifikim në Botërorin “Katari 2022” të rifillojë këtë javë, ajo do të shërbejë si një refuzim i idesë se sporti dhe politika nuk duhet të përzihen. Ndërkohë që Rusia u përjashtua nga kualifikimet për shkak të luftës së saj në Ukrainë, përfaqësueses ukrainase iu dhanë disa muaj shtesë për t'u përgatitur për ndeshjet e plejofit evropian për kualifikim në turneun më të madh të futbollit.
Nëse fiton dy ndeshje këtë javë, Ukraina, një ekip i përbërë nga lojtarë që kryesisht nuk kanë luajtur lojë zyrtare për gjashtë muaj për shkak të luftës në shtëpi, do të jetë në Kupën e Botës në Katar në muajin nëntor.
Lojtarët dhe përzgjedhësi i Ukrainës, Oleksandr Petrakov, kanë bekimin e presidentit të shtetit, Volodymyr Zelensky, për të lënë atdheun e tyre për ndeshjen në Skoci të mërkurën (20:45), kur ata do të përfaqësojnë ngjyrat dhe himnin e Ukrainës në një shfaqje të gjallë të identitetit kombëtar në një skenë ndërkombëtare.
Ndeshja gjysmëfinale e plejofit u shty nga FIFA për shkak se Ukraina nuk mundi të luante në mars, një muaj pasi u pushtua nga Rusia.
Fituesi i ndeshjes Skoci – Ukrainë do të përballet me Uellsin të dielën në Cardiff, për të vendosur se cila skuadër kalon në Kupën e Botës dhe i bashkohet grupit të përbërë nga Anglia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani.
Mesfushori Taras Stepanenko tha se lojtarët do të luajnë me zemër dhe shpirt për të kënaqur ushtarët që dërguan mesazhe, duke i kërkuar ekipit të kualifikohej në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 2006.
“Morali i lojtarëve është shumë i lartë”, tha trajneri Petrakov, para duelit me Skocinë. “Nuk ka nevojë të ndikohet tek ata, të thuhet asgjë. Ata janë futbollistë me përvojë dhe kuptojnë gjithçka në mënyrë perfekte”.
Vullneti i mirë ndaj futbollit ukrainas bëri që FIFA të lavdërojë zyrtarët në Skoci dhe Uells për një “frymë të fortë solidariteti dhe bashkëpunimi”, pasi ata ranë dakord të shtynin plejofin dhe të ndihmonin t'i jepnin kundërshtarit të tyre një shans të drejtë. Të gjitha përfaqësueset e tjera evropiane në Kupën e Botës tashmë janë caktuar. FIFA ka dërguar mesazh duke pezulluar skuadrat ruse nga garat e saj disa ditë pas fillimit të luftës, duke e ndaluar në fakt edhe paraqitjen e Rusisë në Kupën e Botës. Rusia duhej të luante në mars në plejof për kualifikim në Botëror kundër Polonisë dhe eventualisht më pas ndaj Suedisë apo Çekisë. Të tri përfaqësueset refuzuan të luanin me Rusinë – një bojkot politik i paprecedentë në futbollin modern që FIFA e miratoi dhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv lejoi të qëndronte në fuqi.
“Sigurisht se përgjegjësia është e madhe. Sidomos për këtë ndeshje që është shumë e rëndësishme. Besoj se në stadium do të jetë një atmosferë e jashtëzakonshme. Më nuk frikësohemi nga asgjë. Sporti, sidomos futbolli, është thesar nacional dhe ne do të bëjmë të pamundurën për ta gëzuar popullin tonë”, ka shtuar Petrakov, i cili në krye të Ukrainës e zëvendësoi Andriy Shevchenkon, në gusht të vitit të shkuar. “Shumica e tifozëve tanë janë ushtarë të Ukrainës dhe ata do ta shikojnë ndeshjen. Kështu që fitorja është e rëndësishme për ne në të gjitha frontet”.
Zemërimi i ashpër ndaj Rusisë u shfaq edhe nga ylli ukrainas, Oleksandr Zinchenko, në rrjetet sociale, kur filloi lufta. Mbrojtësi i Manchester City ka qenë shumë aktiv duke sulmuar Rusinë, në veçanti presidentin e saj, Vladimir Putin. Pasi Zinchenko ndihmoi Cityn të fitonte titullin e Premier League, ai lidhi një flamur të Ukrainës në trofe.
“Unë dua të vdes për këta njerëz, për të gjithë këtë mbështetje”, tha Zinchenko për vendin e tij.
Ky pasion i futbollistëve të Ukrainës po vjen në Skoci, me bashkimin e krijuar në një kamp trajnimi njëmujor në Slloveni për lojtarët e klubeve si Shakhtar Donetsk dhe Dynamo Kyiv. Kampi u organizua nga Federata ukrainase dhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, me ndeshje miqësore ndaj ekipeve nga Gjermania, Italia e Kroacia.
Petrakov ishte tërë kohën me ekipin, pasi oferta e tij për t'u bashkuar me Forcat e Mbrojtjes Territoriale u refuzua. Ukraina kishte nevojë më shumë që selektori ta udhëheqë ekipin e futbollit drejt Kupës së Botës.