Sport

Tifozët në Ukrainë do t’i përkrahin Poloninë dhe Anglinë

Robert Lewandowski

Për disa njerëz në Ukrainë, futbolli është bërë një shpërqendrim i mirëpritur nga sirenat e pafundme të sulmeve ajrore, sulmet me raketa ruse dhe realitete të tjera të ashpra të luftës. Ndërsa interesi për Kupën e Botës 2022 mund të jetë më i vogël se zakonisht, tifozët e përkushtuar mezi presin turneun.

Volodymyr Maklyakov, një tifoz 26-vjeçar i Manchester Cityt me origjinë nga Kharkivi por që tani jeton në Ukrainën perëndimore, thotë se nuk ka ndier “ndonjë emocion të madh” në përgatitjen e ngjarjes kulmore. Ai do të bëjë gjithçka që mundet për të parë ndeshjet. Një gjë e tillë mund të jetë e vështirë pasi Rusia ka shënjestruar objektet energjetike të Ukrainës muajt e fundit dhe kjo ka rezultuar në mungesa dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Maklyakov do të kishte mbështetur përfaqësuesen e tij të dashur, atë të Ukrainës, nëse ajo nuk do të humbiste kualifikimin pas disfatës nga Uellsi në plejof. Në vend të kësaj, si shumë tifozë ukrainas të futbollit në këtë kupë botërore, edhe ai do të brohorasë për Poloninë dhe Anglinë në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e tyre gjatë luftës.

“Jam shumë mirënjohës ndaj Polonisë, sepse ajo po e ndihmon Ukrainën”, tha Maklyakov, duke shtuar se shumë ekipe të futbollit nga Polonia kanë treguar solidaritet me ato të Ukrainës.

Polonia ishte caktuar të luante me Rusinë në muajin mars për kualifikim në Botëror, por ajo refuzoi një gjë të tillë. Bojkotin e udhëhoqi kapiteni Robert Lewandowski. Që nga atëherë Lewandowski është pajtuar që ta bartë shiritin e kapitenit në Katar me ngjyrat e Ukrainës, të cilin ia ka dorëzuar Andriy Shevchenko.

Erfan Kudusov, një banor i Krimesë me qëndrim në Kiev, thotë se do t’i mbështesë Anglinë dhe Poloninë, sepse do të jetë “përgjithmonë mirënjohës” për mikpritjen që ato treguan ndaj familjes së tij që iku nga lufta. Ndërkohë, Igor Novikov, ish-këshilltari i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zeneksky, shtoi se do ta përkrahë Poloninë në Botëror.

“Tani futbolli dhe politika janë pothuajse të ngjashme. Ne po shikojmë ta përkrahim secilin shtet që ka treguar bujarinë e tij ndaj luftës së Ukrainës”, shtoi Iryna Koziupa. “Pra, krahas Polonisë dhe Anglisë populli ynë do ta përkrahë në Katar edhe SHBA-në e Kanadanë”.

Ky element politik do të thotë se do të ketë edhe armiqësi ndaj atyre që ajo i përshkruan si “shtete jo miqësore”. Koziupa tha se Irani është një ekip veçanërisht jopopullor, sepse Teherani e furnizon Rusinë me dronë ushtarakë, të cilët janë përdorur për të shënjestruar infrastrukturën e Ukrainës. Në tetor, Federata e Futbollit ukrainas i kërkoi FIFA-s të ndalojë Iranin nga Kupa e Botës, duke përmendur shkeljet e të drejtave të njeriut dhe furnizimin e tij me armë ndaj Rusisë.

“FIFA pretendon se nuk ka luftë dhe se njerëzit nuk po vuajnë në pjesë të ndryshme të botës”, tha Koziupa, duke iu referuar një letre të fundit të dërguar nga FIFA drejtuar ekipeve të Kupës së Botës ku u ka kërkuar atyre që të shmangin protestat dhe të “përqendrohen në futboll”.

Nëse Ukraina do të ishte kualifikuar, Koziupa thotë se do të kishte ofruar “një mundësi për t'i treguar botës për luftën përmes futbollit, siç bëri Shakhtari në Ligën e Kampionëve”.

Shakhtar Donetsku kohët e fundit garoi në garën evropiane të klubeve pavarësisht luftës dhe humbjes së një trajneri të rinjve, i cili u qëllua duke luftuar me forcat ruse. Skuadra i luan ndeshjet si vendëse në Poloni.

Për të tjerë nga Ukraina, Kupa e Botës është ende një çështje e thjeshtë dhe mbështesin ekipin më të mirë. Arsen Tartan, një tifoz i Arsenalit me bazë në Kiev dhe me njohuri enciklopedike të lojës, tha se “u uron sinqerisht vëllezërve të tij polakë sukses”, por ai nuk do të mbështesë një ekip të caktuar. Për Arsenin, besnikëria e klubit është më e rëndësishmja, kështu që ai do të mbështesë lojtarët e tij të dashur të Arsenalit, ndërsa ata luajnë për përfaqësueset e tyre përkatëse.