Robert Lewandowski rriti mbështetjen e tij për Ukrainën të martën kur si kapiten i Polonisë u zotua të merrte një shirit me ngjyrat e flamurit blu dhe verdhë të Ukrainës në Kupën e Botës “Katari 2022” që nis në muajin nëntor.
Lewandowski tregoi kundërshtimin e tij ndaj pushtimit ushtarak rus të Ukrainës në ditët e para të muajit shkurt, kur edhe nisi lufta. Ai i bëri thirrje Polonisë që të bojkotojë ndeshjen kundër Rusisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Dy herë lojtari i vitit i FIFA-s mori dhuratën e tij nga legjenda e Ukrainës, Andriy Shevchenko, në stadiumin kombëtar të Polonisë në Varshavë.
“Faleminderit Andriy. Ishte kënaqësi të takoja ty!”, shkroi Lewandowski në llogarinë e tij në Instagram. “Do të jetë një nder për mua të mbaj shiritin e kapitenit me ngjyrat e Ukrainës në Kupën e Botës”.
Qëndrimi publik i sulmuesit ndaj agresionit në Ukrainë ndihmoi që Polonia të mos luante me Rusinë në një gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror, ndeshje kjo që ishte planifikuar të zhvillohej në Varshavë më 24 mars.
"Ne nuk mund të pretendojmë se asgjë nuk po ndodhë në Ukrainë”, tha Lewandowski atëherë, dy ditë përpara se FIFA dhe UEFA të ndalonin ekipet ruse nga garat ndërkombëtare, duke hequr në mënyrë efektive Rusinë nga Kupa e Botës.
Edhe
Shqipëria përballet me Poloninë e Lewandowskit
Pasi Polonia kaloi plejofin duke e mposhtur në finale Suedinë, Përfaqësuesja e Ukrainës humbi ndaj Uellsit në finalen tjetër, të shtyrë deri në qershor për të ndihmuar ekipin të përgatitet mes luftës dhe ndaljes së futbollit vendas.
Polonia në Botërorin “Katari 2022” do të luajë në Grupin C me Argjentinën, Meksikën dhe Arabinë Saudite. Botërori i këtij viti nis më 20 nëntor dhe përfundon më 18 dhjetor. Lidhjet e futbollit midis Polonisë dhe Ukrainës, që ishin bashkë-pritëse të Kampionatit Evropian 2012, kanë bërë që ekipet kombëtare dhe klube të Ukrainës të luajnë ndeshje “në shtëpi” në garat ndërkombëtare nëpër stadiumet polake këtë sezon. Përfaqësuesja e Ukrainës do të përfundojë programin e saj të Ligës së Kombeve në Poloni javën e ardhshme, duke pritur Skocinë në qytetin e Krakovit.
Shevchenko, fituesi i “Topit të Artë” në vitin 2004 si një sulmues i shquar me fanellën e skuadrës së Milanit, drejtoi Ukrainën kur arriti në çerekfinalen e “Euro 2020”, turne që u mbajt vitin e shkuar.