Futboll

Lewandowski tërhiqet nga përfaqësuesja, nuk do të luajë me Pribierzin si selektor

Robert Lewandowski dhe Michael Probierz

Ikona polake, Robert Lewandowski nuk do të luajë më për përfaqësuese derisa selektor i Polonisë të jetë Michael Probierz. 

Lewa mban rekordin për gola të shënuar me Poloninë, por nuk është grumbulluar për ndeshjet e këtij muaji.

Përmes një komunikate të lëshuar të dielën nga Federata e Futbollit e Polonisë, është bërë e ditur se

“Probierz e ka njoftuar personalisht Lewandowskin, gjithë ekipin dhe stafin stërvitor për vendimin e tij që të emërojë mesfushorin e Interit, Piotr Zielinski, si kapiten të ri”.

Lewandowski ishte kapiten deri më tani, ndërsa pas këtij vendimi shkroi në mediat sociale: “Marrë për bazë rrethanat dhe humbjen e besimit në trajner, kam vendosur të tërhiqem nga përfaqësuesja e Polonisë për aq kohë sa ai mbetet në krye. Shpresoj se do të kem rast tjetër të luaj për tifozët më të mirë në botë”.

Probierz e mori drejtimin e Polonisë në shtator të vitit 2023, por kjo përfaqësuese ishte e para që u eliminua në Euro 2024. 

36-vjeçari Lewandowski i ka 85 gola në 158 paraqitje për Poloninë.