Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Skocia e bindur se futbollistët e Ukrainës janë gati për duelin e plejofit

Përzgjedhësi i Skocisë, Steve Clarke, e kupton pse legjenda e kësaj përfaqësueseje, Graeme Souness, dëshiron që vendi i tij të humbë kundër Ukrainës në plejofin e ngarkuar emocionalisht, për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Ndeshja gjysmëfinale e plejofit Skoci – Ukrainë luhet të mërkurën prej orës 20:45 në Glasgow.

Megjithatë Clarke shpreson për një rezultat tjetër. Ai pret që lojtarët e Ukrainës të jenë “gati për ndeshjen” që do të luhet në stadiumin “Hampden Park”.

“Asgjë nuk kam veçse mendime të mira për ukrainasit dhe urime të mira për ta – përveçse gjatë lojës. Pra, simpatia e madhe e Skocisë për Ukrainën do të ndalojë gjatë 90 minutave të ndeshjes”, tha Clarke të martën. “Padyshim që ata duan të shkojnë në Katar dhe të përfaqësojnë vendin e tyre. Por unë jam i përkushtuar të shkoj në Katar me Skocinë”.

Fituesi i këtij dueli do të luajë në finalen e plejofit me Uellsin në Cardiff, të dielën, për një vend në Botërorin e Katarit që mbahet në nëntor të këtij viti.

Ndeshja Skoci – Ukrainë është dashur të luhet në mars. Por u shty nga FIFA për shkak se Ukraina nuk mundi të bënte gati ekipin për të luajtur, pasi Ukraina u pushtua nga Rusia. Lufta në Ukrainë po vazhdon ende.

Edhe Ukrainasit shpresojnë për fitore në fushën e futbollit në Glasgow Sport Ukrainasit shpresojnë për fitore në fushën e futbollit në Glasgow

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dha bekimin e tij për lojtarët dhe përzgjedhësin e Ukrainës, Oleksandr Petrakov, që të largohen nga atdheu i tyre për t'u përgatitur dhe për të luajtur ndeshjen e rëndësishme kundër Skocisë.

Souness, ish-lojtari i Liverpoolit dhe ish-kapiten i Përfaqësueses së Skocisë, tha se dëshiron që Ukraina ta fitojë këtë ndeshje. Souness shtoi se dëshiron që Ukraina të kualifikohet në Botëror sepse “është shumë më e rëndësishme se futbolli që të dërgohet një mesazh në mbarë botën se sjellja e Rusisë është e papranueshme”.

Për komentet e Sounessit mendim iu kërkua përzgjedhësit Clarke, i cili tha: “Unë nuk mund ta vendos veten në mendjen e askujt tjetër. Të gjithë kanë mendimin e tyre. Mendimi do të jetë i ndryshëm. Unë fokusohem te vetja. Unë dua të shkoj në Katar me Skocinë dhe lojtarët duan të shkojnë dhe të luajnë në Kampionatin Botëror”.

Clarke ka insistuar se aspak nuk është i dëshpëruar me qëndrimin e legjendës Souness.

“Jo, jo në asnjë mënyrë. Të gjithë mund të kenë mendimin e tyre dhe ta shprehin lirshëm atë”, insistoi Clarke.

Përfaqësuesja e Ukrainës është e përbërë nga futbollistë të cilët nuk kanë luajtur ndeshje zyrtare për pothuajse gjashtë muaj shkaku i luftës në vendin e tyre. Një kamp stërvitor njëmujor në Slloveninë e sigurt ka ofruar ndeshje përgatitore të organizuara kundër klubeve në Gjermani, Itali dhe Kroaci, duke u dhënë lojtarëve nga ekipet ukrainase, si Shakhtar Donetsk dhe Dynamo Kyiv, një shans për t’u bërë gati për plejof.

“Natyrisht që ndeshjet e Ukrainës janë të njohura në futbollin ndërkombëtar dhe mund të ndihmojnë në përgatitje për ndeshje zyrtare. Ne nuk kemi luajtur në mënyrë zyrtare që nga nëntori, njësoj si Ukraina”, u shpreh Clarke. “Ne kemi marrë pamje nga ndeshjet miqësore të Ukrainës, të cilat bazoheshin më shumë në ngritjen e ukrainasve në shpejtësinë e ndeshjes. Ata janë stërvitur mirë për katër javë dhe jam i bindur se do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje”.

Edhe Ukraina merr “rrugën politike” për kualifikim në Botëror Sport Ukraina merr “rrugën politike” për kualifikim në Botëror

Clarke tha se lojtarët e Ukrainës nuk do ta kenë aspak lehtë dhe në këtë ndeshje do ta gjejnë veten në një situatë të jashtëzakonshme duke pasur parasysh se familjarët i kanë në luftë.

“Sigurisht që nuk do të jetë lehtë për ta dhe duhet kuptuar plotësisht”, shtoi Clarke, i cili pret që tifozët e Skocisë ta respektojnë himnin e Ukrainës, madje ta duartrokasin atë.