Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ukraina rifillon kualifikimet për Botëror me plejofin e 1 qershorit

ukraina, rusia, lufta, sporti, futbolli, ndeshja, 14 prill

Përpjekja e Përfaqësueses së Ukrainës për t'u kualifikuar në Kupën e Botës “Katari 2022”, do të rifillojë më 1 qershor kundër Skocisë, pasi gjysmëfinalja e plejofit e planifikuar të luhej muajin e shkuar në Glasgoë, u shty për shkak të pushtimit të vendit nga Rusia, ka shkruar AP-ja të enjten.

FIFA të enjten tha gjithashtu se finalja e vonuar e plejofit në atë grup kundër Uellsit në Cardiff do të jetë më 5 qershor për të përcaktuar ekipin përfundimtar evropian që do të kualifikohet në Kupën e Botës në Katar.

Fituesi i plejofit do të shkojë në një grup me Anglinë, Shtetet e Bashkuara dhe Iranin.

“FIFA dëshiron të falënderojë të gjitha palët e përfshira për frymën e fortë të solidaritetit dhe bashkëpunimit që ka çuar në këtë vendim unanim”, tha organi qeverisës i futbollit botëror në një deklaratë.

Shumica e lojtarëve të Ukrainës zakonisht janë nga klubet vendase Dynamo Kyiv dhe Shakhtar Donetsk. Futbolli në Ukrainë nuk ka qenë në gjendje të rifillojë më 26 shkurt për shkak të luftës, ndërsa shumica e lojtarëve të huaj të këtyre ekipeve u larguan nga Ukraina për t'i shpëtuar luftës.

Klubet kanë luajtur ndeshje miqësore në Evropë këtë javë. Ndeshjet e zhvendosura te plejofit për kualifikim në Botërorin “Katari 2022” që nis në muajin nëntor, do të nënkuptojnë se datat e ndeshjeve të planifikuara të Ligës së Kombeve të UEFA-s gjithashtu do të lëvizin.