Sport

Kosova, pjesë e ndeshjes që shënon kthimin e Ukrainës në skenën ndërkombëtare

Të enjten FIFA vendosi që ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror në mes të Skocisë dhe Ukrainës të zhvillohet më 1 qershor. Kjo ndeshje shënon rikthimin e Ukrainës në skenën ndërkombëtare. Ukraina nuk ka luajtur prejse Rusia nisi pushtimin e saj.

Por përfaqësueset e Ukrainës kthehen në gara shumë më herët se 1 qershori. Madje pjesë e ndeshjes që shënon rikthimin e përfaqësueseve të Ukrainës është Kosova.

Bëhet fjalë për përfaqësuesen U17 të Ukrainës që të mërkurën e ardhshme, më 20 prill, takohet me Kosovën U17. Ndeshja i takon raundit elit të eliminatoreve për Evropianin e këtij viti dhe luhet në Pogibonsi të Italisë.

Turneu i grupit të gjashtë të raundit elit, ku janë Kosova e Ukraina, është dashur të luhej prej 23 deri më 29 mars, por është shtyrë për shkak të luftës në Ukrainë. Turneu është shtyrë për terminin prej 20 deri më 26 prill. Ndeshja e parë e turneut është Kosova – Ukraina dhe kjo nënkupton se Kosova e luan ndeshjen e parë pas rikthimit të Ukrainës në garat ndërkombëtare të futbollit.

Në grupin e gjashtë janë edhe Italia dhe Polonia. Pra, bëhet fjalë për një grup shumë të fortë. Përfaqësuesja e vendit të parë siguron kualifikimin në Evropian, por gjasat për kualifikim janë të mëdha edhe prej vendit të dytë në grup.

Kosova U17 në raundin kualifikues ishte e dyta në grup dhe kështu siguroi paraqitjen në raundin elit. Kosova kishte mbetur pas Sllovenisë, ndërsa la prapa Austrinë dhe Ishujt Faroe. Ndeshjet ishin luajtur në Austri prej 6 deri më 12 tetor.

Kosova U17 më 23 prill luan me Italinë, ndërsa më 26 prill me Poloninë.

Në Itali i kanë kushtuar rëndësi të madhe paraqitjes së Ukrainës U17 në këtë turne kualifikues.

Federata e Futbollit e Italisë ka organizuar kamp përgatitor për Ukrainën, ndërsa e ka organizuar edhe udhëtimin e delegacionit ukrainas për në Itali.

Autobusi i përfaqësueses së Italisë të enjten në qytetin Zahony, në kufirin mes Ukrainës dhe Hungarisë, ka marrë disa anëtarë të delegacionit, duke përfshirë disa lojtarë. Autobusi më pas është ndalur në Budapest dhe në Zagreb, ku të tjerë lojtarë të Ukrainës janë bashkuar. Të premten ukrainasit janë vendosur në qendrën nacionale të Italisë, Coverciano.

Ukrainasit do të jenë mysafirë në këtë qendër deri të martën, kur planifikohet udhëtimi për në qytetin ku mbahet turneu.

Italianët këtë e vlerësojnë përkrahje për popullin ukrainas.

“Futbolli është mjet i jashtëzakonshëm për të dëshmuar vlerat e miqësisë dhe vëllazërisë. FIGC është në ballë në përpjekjet për të ndihmuar popullin ukrainas dhe futbollin ukrainas që të kalojë këtë moment të vështirë. Pavarësisht asaj që ka ndodhur, përfaqësuesja ukrainase ka shprehur gatishmëri për të marrë pjesë në turneun e organizuar në vendin tonë, kështu që ne jemi në dispozicion për të pritur dhe stërvitur ukrainasit. U kemi ofruar kushtet më të mira. Do të jetë tjetër mundësi për të bërë thirrje për të ndalur luftën dhe për të shprehur përkrahjen e pakushtëzuar për federatën e Ukrainës”, ka thënë presidenti i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina.