Përzgjedhësi i përfaqësueses U17 të Kosovës në futboll, Arsim Abazi, ka vlerësuar se lojtarët e tij janë të gatshëm për ndeshjen e veçantë kundër Ukrainës. Ndeshja do të luhet të mërkurën prej orës 12:00 luan ndeshje me Ukrainën U17.
Ndeshja luhet në Poggibonsi të Italisë, ku zhvillohet turneu i grupit të gjashtë të raundit elit të kualifikimeve për Evropianin e këtij viti. Paraqitja e Ukrainës pritet të përcillet me më shumë bujë për shkak të luftës me Rusinë. Prej se ka nisur lufta asnjë përfaqësuese ukrainase e futbollit nuk ka luajtur ndeshje. Por, Përfaqësuesja U17 e Ukrainës ka grumbulluar të gjithë lojtarët që i ka synuar dhe do të paraqitet e kompletuar ndaj Kosovës.
Kosova ka mbërritur në Itali, ndërsa të martën ka zhvilluar edhe një stërvitje. Fokusi në stërvitje, siç njofton Federata e Futbollit e Kosovës, është provuar të gjitha taktikat dhe situatat e mundshme që nga mbrojtja, sulmi kundërsulmet e deri të gjuajtjet e lira dhe nga këndi, në mënyrë që të shënojnë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë të këtij rrethi.
“Gjendja e futbollistëve është e mirë, po shihet një atmosferë jashtëzakonisht e mirë. Një e mirë është se ekipi është i kompletuar dhe nuk kemi lëndime. Lojtarët janë të përgatitur shumë mirë. Prandaj, besoj se nëse angazhohemi maksimalisht në ballafaqim me Ukrainën, do të kemi rezultat të mirë. Ndeshjes do t’i qasemi me plotë seriozitet dhe synojmë fitore. Kështu do të vazhdojmë në çdo ndeshje për pikë maksimale sepse do të ishte historike për neve nëse arrijmë të kualifikohemi për Evropianin e këtij viti që mbahet në Izrael. Ndaj do të japim gjithçka nga vetja për të arritur synimet tona”, ka thënë Abazi për faqen e FFK-së. Kosova të shtunën përballet me nikoqirin e turneut të grupit të gjashtë të raundit elit, Italinë. Ndërsa, më 26 prill luan ndaj Polonisë. Edhe kapiteni i Kosovës U17, Igball Jashari, thotë se janë të motivuar për të arritur sukses në këtë nivel garash. “Jemi një grup i mirë i lojtarëve. Në Kombëtare po mbretëron atmosferë shumë e mirë dhe pres që unë dhe bashkëlojtarët e mi do të japim maksimumin për fitore kundër Ukrainës. Kemi punuar mirë dhe besoj se do t’i zbatojmë ashtu si duhet detyrat që do të na i japin trajnerët”, ka thënë Jashari. Fituesi i grupit kualifikohet në Evropian, ndërsa gjasat e kualifikimit janë të mëdha edhe nga pozita e dytë.